Australia ka njoftuar se do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, duke iu bashkuar vendeve si Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja.
Kryeministri australian Anthony Albanese deklaroi se vendimi është marrë pas garancive të dhëna nga Autoriteti Palestinez, përfshirë çmilitarizimin, mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe vazhdimin e njohjes së të drejtës së Izraelit për të ekzistuar.
“Zgjidhja me dy shtete është shpresa më e mirë për të thyer ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjes dhe urisë në Gaza,” tha Albanese.
Vendimi i Australisë vjen në një moment kur Izraeli përballet me presion në rritje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, që nga e shtuna janë regjistruar pesë viktima të reja nga uria dhe kequshqyerja, duke e çuar numrin total të të vdekurve për këto arsye në 217. Në total, më shumë se 61,000 persona janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite në vitin 2023.
Autoriteti Palestinez, që ushtron kontroll mbi disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ka deklaruar se njohja e shtetësisë së Palestinës është një tregues i mbështetjes në rritje për vetëvendosjen e popullit palestinez.
Albanese theksoi se presidenti palestinez Mahmoud Abbas i ka dhënë garanci Australisë se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në një shtet të ardhshëm palestinez.
Ai shtoi gjithashtu se vendimi është marrë pas bisedimeve me homologët e tij në Britani, Francë, Zelandë të Re dhe Japoni.
“Ky është një moment mundësie, dhe Australia do të punojë me komunitetin ndërkombëtar për ta shfrytëzuar atë,” tha ai.
Të dielën, dhjetëra mijëra persona morën pjesë në një marshim pro-palestinez në Sydney, një ditë pasi gjykata miratoi mbajtjen e protestës.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se nuk do të njohin Palestinën si shtet, duke thënë se një veprim i tillë do të shpërblente Hamasin dhe se mungon një qeveri funksionale palestineze.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i quajti “të turpshme” vendimet e vendeve perëndimore për njohjen e shtetësisë së Palestinës.
“Ata e dinë mirë se çfarë do të bënin nëse një sulm i tillë do të ndodhte pranë Melburnit apo Sidneit. Do të reagonin të paktën si ne,” u shpreh ai.
Izraeli po përballet me kritika ndërkombëtare për planet për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Gazës, një veprim që Netanyahu e cilëson si mënyrën më të mirë për të përmbyllur luftën.
Vitin e kaluar, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës, me shpresën se kjo do të ndihmonte në arritjen e një armëpushimi.