“Ato që kanë dalë nga përgjimet e Sky Ecc janë vetëm maja e ajsbergut”, Berisha: Rama porositi vrasjen e Ervis Martinajt!

Zhdukja e Ervis Martinajt ka qenë kryefjalë për muaj të tërë që nga gushti i 2022, nga kur nuk dihet më asgjë për fatin e tij. Megjithëse policia është zotuar shpesh duke dhënë afate per zbardhjen e kësaj çështje, deri më tani asgjë nuk është zbuluar.

Ish kryeministri Sali Berisha ka akuzuar direkt Edi Ramën, për të cilin ka thënë se është porositësi i vrasjes.

Duke iu referuar bisedave në aplikacionin e komunikimeve të koduara “SKY ECC” mes Behar Bajrit dhe Ervis Martinaj, me kreun e grupit të Shkodrës që i thoshte “mbretit të kumarit” se përndjekjen e kishte nga Edi Rama, Berisha tha se ato që janë zbuluar janë vetëm maja e ajsbergut. Këto biseda janë publikuar nga gazetari Elton Qyno.

Përgjimet e dala nga “Sky” i referohen minimalisht shumë muajve më parë se koha kur Ervis Martinaj u zhduk.  

“Ju e patë publikimin e fundit të gazetarit Elton Qyno, i cili faktonte nga bisedat e bëra midis bandave se porositësi i vrasjes së Ervis Martinajt ishte vetë Rama. “E ke politike”, i thoshte Bajraj Ervis Martinajt dhe ky i thoshte se “partia jote po më dënon”.

Pasi Rama e paralajmëroi se ta dimë targën dhe ta do merrem personalisht, Rama angazhoi policinë mbase si ekzekutorë, mbase kanë qenë banditë. Ai u nda në fund me një oficer policie. Kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore, ekstraligjore, ekstrakushtetuese”, është shprehur Sali Berisha në Vizion Plus.

Po ashtu, ish-kryeministri ka akuzuar veç Ramës edhe Taulant Ballën, se kanë të lidhur me vrasës e trafikantë, ndaj sipas Sali Berishës është jetike që të zbardhet e vërteta e lidhjes së politikës me krimin.

“Vetëm maja e ajsbergut ka dalë dhe del se Taulant Balla, Edi Rama janë të lidhur me vrasës, me trafikantë, akuzohen për vrasje, për porosi vrasjes, për trafiqe. Është jetike që të zbardhet e vërteta e lidhjes së politikës me krimin”, është shprehur ai në emisionin “Quo Vadis”.