Që zonja znj. Llagami dhe znj. Bushka reaguan, jemi mëse të lumtur. As kjo medie e as burimi i kësaj medie nuk kanë sajuar asgjë.
Sigurisht, nuk kemi përgjuar telefonat e zonjave, ama kemi foto të tyre duke ngrënë e duke pirë, sa nëpër lokale, aq edhe në zyrat e Ajola Xoxës, ku mbathur, e ku zbathur.
Ashtu sikurse kemi komunikime të secilës prej tyre me anëtarë të sistemit gjyqësor e më tej, ku kërkojnë me numrat e tyre të telefonit, grafiqe gadishmërie të Spak e GJKKO, ku konfirmojnë se Llagami ia ka kaluar këtë grafik Bushkës; ku Bushka lutet pranë gjyqtarëve të thjeshtë të ndihmojnë me informacion për të afërmin e Ajolës; ku Llagami shkruan se duhet shkrirë SPAK; ku shkruan se do të fusë të vëllain në SPAK, e plot e plot të tjera.

Ne nuk jemi agjentë “Mossadi” të dimë sa e sa kanë shkëmbyer zonjat mes veti, ama jemi qytetarë që krimet ndaj drejtësisë i zbulojmë.
Kështu, Ora News sjell në vëmendje një komunikim të Klotilda Bushkës, ku kërkon dy herë nga një gjyqtar i zakonshëm, si në “WhatsApp” dhe në “Signal” grafikun e gatishmërisë së GJKKO për të shpëtuar kushëririn e Ajola Xoxës.
Pasi ky gjyqtar nuk e ndihmon dot, ish-kryetarja Llagami konfirmon tek i njëjti gjyqtar se e ka ndihmuar Bushkën duke i nisur grafikun. E bën këtë gjë me numër të saj të telefonit. Kësaj here me këpucë veshur besojmë.
Veç sa më lart, Bushka kërkon takim me Llagamin dhe një person tjetër e këtij të fundit i thotë: “na e organizo, por në një vend pa njerëz”.

Përse duhej një vend pa njerëz? Mos vallë se Llagami emërohet, raporton e tutje tehu pikërisht me atë që ha e pi?
Ky takim është i ndryshëm nga ai i 19 Janarit, i paraprin atij dhe kërkohet të ruhet privatësia e kësaj qoke: Komision Ligjesh- KLGJ. Edhe këtë Bushka e bën me numrin e saj.
Por skandali më i madh është dëshira e ish-Kryetares së KLGJ-së që të shkrijë SPAK-un dhe GJKKO si “sekt”!
Madje, pushtetin e tyre ta kalojë tek Gjykata e Zakonshme meqë nuk po gjen dot hapësirë të ndihmojë ata që e emëruan e ata që do e çojnë në Gjykatë Kushtetuese.
Në një komunikim prej “xhelati” të drejtësisë, e jo prej një figure të nivelit të lartë të udhëheqjes së Gjyqësorit, Llagami i shkruan, po me numrin e saj të telefonit, një gjyqtari të thjeshtë ku i thotë: “Atë i thoja Ildës (pra Klotilda Bushkës), që një kallëzim ndaj një Prokurori të SPAK, nuk mund të rrijë në SPAK…se ato duhet të bien si sekt (pra SPAK dhe GJKKO), duke i sjelle te ju (pra gjykata e prokurori te zakonshme)…duke i sjelle te ju, do përdridhen…”.

Këto janë fjalët e ish-Kryetares së KLGJ-së, Llagami, të sjella me foto dhe video screen të mesazhit ku identifikohet numri i saj.
Le të dalin tani Bushka e Llagami të mohojnë numrat e tyre të telefonit, të mohojnë këto biseda të turpshme për kapjen e sistemit të drejtësisë, të mohojnë takimet e mes tyre, e po deshën edhe ekzistencën e tyre njerëzore.
Peshku qelbet nga koka, ato që duhen përdredhur e duhen shkrirë janë këto afera të turpshme e kriminale, por jo SPAK, e as GJKKO./Burimi: OraNews