Atentati në Tiranë, gazetarja: Shënjestër ishte gruaja e Roan Brahimit, autorët u ngatërruan nga makina e njëjtë

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me atentatin që ndodhi mbrëmë në Tiranë ku u plagosën 4 persona, mes tyre djali dhe nipi i pronarit të “Pelikan Security”.

Gazetarja Klodiana Lala thotë se shënjestër e atentatit nuk kanë qenë familjarët e  “Pelikan Security”, por gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra dje në një atentat në Pllanë të Lezhës.

Ndërkohë Roan Brahimi u vra në sytë e gruas një vit më parë në Athinë. Mësohet se automjeti që përdor bashkëshortja e Brahimit është e njëjtë me atë që përdornin katër të rinjtë, çka dyshohet se ka ngatërruar autorët.

Kujtojmë se si pasojë e atentatit të plagosur mbetën djali i pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikan Security”, nipi i tij 11 vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë, 19-vjeçari Kian Mullahi dhe 34-vjeçari Arenc Stafa, i cili po drejtonte automjetin “G-Class”.

Lidhur me vrasjen e babait të Roan Brahimit, krimi ndodhi në lokalin në pronësi të 64 vjeçarit Gjovalin Prendi. Pista kryesore e vrasjes është ajo e hakmarrjes, pasi djali i viktimës Roan Brahimi, i cili u vra në maj të vitit 2024 në Greqi, është përfshirë në disa ngjarje kriminale.