Atentati në Shkodër, merret në pyetje kamarierja që mbeti e plagosur

Hetuesit vijojnë punën intensive për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Këtë të mërkurë do merren në pyetje Meri Kaceri, kamerierja e lokalit ku ndodhi atentati, e cila mbeti e plagosur nga të shtënat.

Deklarata e saj pritet të hedhë dritë mbi detaje të reja rreth atentatit dhe autorit të dyshuar.

Dje, hetuesit morën në pyetje Erogen Vaso Brajoviç, i cili ndodhej në lokal në momentin e sulmit. Ai u shpreh se nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm dhe se gjithçka ndodhi papritur.

Nga atentati mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, 31 vjeç, ky i fundit i njohur si truproja i Brajoviçit. Policia ka arrestuar Ragip Gila si autor të dyshuar të krimit, ndërsa po heton pistat që çuan në këtë përplasje të armatosur.

Grupi hetimor është duke analizuar kamerat e sigurisë dhe komunikimet telefonike për të hedhur dritë mbi motivet e kësaj ngjarjeje tronditëse, që ka alarmuar opinionin publik në Shkodër.