Atentati në Rrilë të Lezhës, ndalohet polici që iu përgjigj me armë autorëve

Polici i cili ndodhej brenda berberhanes në Rrilë të Lezhës, ku dyshohet se iu bë atentat 21-vjeçarit Merando Nikulaj, është ndaluar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë.

Ai akuzohet për veprën penale “moskallëzim krimi”, teksa gjatë sulmit brenda berberhanes, ai iu është përgjigjur me armë autorëve.

Polici me iniciale B.K. ka qenë në shoqërinë e Merando Nikulajt, teksa i plagosur në atë ngjarje mbeti 30 vjeçari Sokol Daci, pronari i berberhanes.

Deri në këto momente Nikulaj nuk është shoqëruar dot për t’u marrë në pyetje, ndërsa policia po ushtron kontrolle në disa biznese dhe banesa për ta shoqëruar.

Ka dyshime të forta që 21-vjeçari Merando Nikulaj mund të jetë plagosur, për shkak se teksa largohej ai shfaqet në kamerat e sigurisë duke ecur me vështirësi.