Atentati me 4 të vdekur në Dobraç, AMP çon për hetim disa efektivë të Shkodrës

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka çuar në Prokurorinë e Shkodrës efektivë të policisë lokale për “shpërdorim detyre” në lidhje me ngjarjen e rëndë në Dobraç, ku humbën jetën 4 persona.

AMP dyshon se policët kanë lënë të lirë, personin e tretë që ndodhej në të njëjtën makinë me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin, të cilët u ekzekutuan pasditen e 30 tetorit, ndërsa viktimë mbetën edhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë pritet që organi i akuzës të thellojë hetimet në lidhje me grupin e efektivëve që ishin në vendngjarje.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, në rrjet doli një video teksa pranë makinës së dy viktimave shfaqej një person i tretë, i cili ishte i gjakosur.

Dyshimet janë se bëhet fjalë për Ibrahim Licin, i shpallur në kërkim nga policia, ndërsa efektivët e kanë lënë atë të lirë, duke mos e ndaluar.

Ibrahim Lici, i akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës, është vëllai i Hamza Licit, që mbeti i vrarë në atë që njihet ndryshe si masakra e Dobraçit.