Atentate të profilit të lartë: Izraeli raporton vrasjen e dy zyrtarëve iranianë

Izraeli pretendon se ka kryer dy atentate të profilit të lartë, duke vrarë Ali Larijanin, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, si dhe komandantin e milicisë së brendshme Basij, Gholamreza Soleimani. Lajmi është bërë i ditur nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Katz, ndërsa deri më tani autoritetet iraniane nuk kanë reaguar dhe as nuk e kanë konfirmuar këtë pretendim.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane kanë publikuar një shënim të shkruar me dorë nga Larijani, por mbetet e paqartë nëse ai shërben si provë se ai është ende gjallë. Në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Larijani përkujton marinarët iranianë të vrarë, funerali i të cilëve pritet të mbahet të martën, pas një sulmi të SHBA-së ndaj anijes së tyre në ujërat ndërkombëtare.

Nëse konfirmohet, vrasja e Larijanit do të ishte eliminimi i figurës më të lartë politike në këtë konflikt, që pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael, ku u vra lideri suprem i mëparshëm, Ali Khamenei, së bashku me disa anëtarë të familjes së tij, në ditën e parë të luftës së nisur më 28 shkurt.

Larijani është parë për herë të fundit në publik të premten, gjatë tubimit të Ditës së Kudsi (al-Quds) në mbështetje të palestinezëve në Teheran, ku mori pjesë edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian.

Ai ka qenë për vite me radhë një figurë e rëndësishme në hierarkinë politike iraniane, duke udhëhequr në një periudhë edhe negociatat bërthamore të vendit me Perëndimin. Gjithashtu, më parë ka mbajtur postin e kryetarit të Parlamentit të Iranit.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi përmes një postimi në platformën X se kishte vrarë edhe Gholamreza Soleimanin, komandantin e njësisë Basij, një milici paramilitare e sigurisë së brendshme që vepron në kuadër të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

“Sipas inteligjencës së saktë ushtarake, forcat ajrore kryen një goditje të targetuar dje në zemër të Teheranit, duke eliminuar Gholamreza Soleimanin, komandantin e njësisë Basij gjatë gjashtë viteve të fundit”, thuhet në deklaratë.