Rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, e ndikuar nga lufta në Ukrainë, u ndje direkt për qytetarët në Shqipëri një vit më parë. Kompanitë nxituan të rrisnin çmimet, para se vetë ta blinin naftën me çmimet e reja.
Në datën 8 mars të vitit të kaluar, çmimi i naftës kërceu në 260 lekë për litër në tregun vendas, duke arritur një rekord historik maksimal. Katër ditë më vonë u krijua një Bord Transparence, me synimin që të mos krijoheshin abuzime për çmimet nga operatorët që tregtojnë karburant, ndërkohë që në treg kishte luhatje të mëdha.
Por Shoqatat e Hidrokarbureve kanë bërë herë pas here kërkesë për shkrirjen e tij, pasi sipas tyre Bordi vendoste çmime 5% më të larta, seç do të vendosnin vetë kompanitë, po ta blinin në sasi të mëdha kur ato e shihnin të arsyeshme se ishte më lirë.
Mirëpo rezulton bordi ka krijuar një ekuilibër tregu me çmime të larta që nuk ulen edhe pas shkrirjes së tij.
Tre javë pas mbylljes së bordit, çmimi i naftës në vend vazhdon të jetë thuajse në nivelet që ishtë më parë, edhe pse importuesit e naftës kanë përfituar ndjeshëm nga zhvlerësimi i dollarit. As ulja e çmimit të naftës në tregun botëror nuk reflektohet aspak tek ne.
Aktualisht Shqipëria bën pjesë në 30 shtetet që e tregtojnë naftën më shtrenjtë, duke u renditur pas Britanisë për nga çmimi, ndërkohë që standarti i jetesës këtu është shumë më i ulët se në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu Shqipëria tregton shumë më shtrenjtë se vendet e tjera të rajonit si Mali i Zi apo Maqedonia.
Kjo situatë me sa duket do të vazhdojë të jetë kështu për sa kohë në vend mungon konkurrenca e lirë në tregun e karburanteve për shkak të pranisë së oligopoleve (3-4 firma e fusin naftën në Shqipëri). Çmimet rriten me shpejtësi kur nafta shtrenjtohet në Bursat ndërkombëtare, ndërsa ritmet e uljes janë më të ngadalta, jo si referencë kohore më shumë, sesa në vlerë.