Artemis II ndez shpresat për rikthimin në Hënë, por a është realist objektivi i vitit 2028?

Misioni Artemis II i NASA ka kaluar me sukses çdo test të rëndësishëm që nga nisja më 1 prill, duke tejkaluar pritshmëritë e inxhinierëve si në performancën e raketës, ashtu edhe të anijes dhe ekuipazhit.

Gjashtë ditët e para të misionit kanë dëshmuar se kapsula Orion funksionon sipas parashikimeve me njerëz në bord – diçka që asnjë simulator nuk mund ta provonte më parë.

Përtej aspektit teknik, një nga arritjet më të mëdha të misionit lidhet me ndikimin njerëzor: ekuipazhi ka sjellë shpresë dhe optimizëm në një kohë kur bota duket se ka nevojë për frymëzim.

Megjithatë, mbetet pyetja kryesore: a është realisht i arritshëm një ulje në Hënë deri në vitin 2028, siç synon NASA dhe Donald Trump?

Raketa Space Launch System (SLS) gjeneroi 8.8 milionë paund shtytje në nisje dhe performoi sipas planit në çdo fazë. Të gjitha momentet kritike të fluturimit u përshkruan si “normale” nga kontrolli i misionit.

Madje, dy nga tre korrigjimet e planifikuara të trajektores drejt Hënës u anuluan, pasi kursi ishte aq i saktë sa nuk ishte e nevojshme ndërhyrja.

Një moment kyç ishte ndezja e motorit kryesor të Orion për afro gjashtë minuta, duke e vendosur anijen në trajektore drejt Hënës – një manovër që u cilësua “pa asnjë të metë”.

Qëllimi kryesor i misionit është testimi i ndërveprimit mes njerëzve dhe sistemit. Dhe pikërisht këtu janë shfaqur edhe problemet e vogla, por të rëndësishme: vështirësi me tualetin, një problem me shpërndarjen e ujit  dhe një defekt i vogël në një sistem rezervë.

Sipas ekspertëve, këto janë pikërisht situatat që nuk mund të simulohen dhe që ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë për misionet e ardhshme.

Ekuipazhi ka kryer vëzhgime të shumta shkencore gjatë fluturimit pranë Hënës, duke identifikuar rreth 35 formacione gjeologjike dhe duke kapur imazhe të rralla, përfshirë një eklips diellor nga hapësira e thellë.

Një nga pamjet më të veçanta ishte krateri gjigant Orientale, i parë për herë të parë drejtpërdrejt nga njerëzit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se vlera shkencore është e kufizuar, pasi misionet robotike si ato të Indisë dhe Kinës kanë kryer tashmë studime më të detajuara.

Një nga momentet më emocionale erdhi kur ekuipazhi theu rekordin e distancës të vendosur nga misioni Apollo 13 në vitin 1970.

Astronauti Jeremy Hansen propozoi emërtimin e një krateri në kujtim të një familjareje të ndjerë të komandantit Reid Wiseman. Pas një heshtjeje 45-sekondëshe, ekuipazhi shpërtheu në emocione.

Ky moment, sipas analistëve, tregon se programet hapësinore nuk mbijetojnë vetëm me teknologji, por edhe me lidhjen emocionale me publikun – një element që e bëri të paharrueshëm edhe programin Apollo program.

Misioni nuk ka përfunduar ende. Kapsula Orion pritet të rikthehet në Tokë me një ulje në Oqeanin Paqësor më 11 prill.

Sfida më e madhe mbetet rihyrja në atmosferë, ku anija do të përballet me shpejtësi rreth 40,000 km/h, një moment kritik që kishte shkaktuar probleme edhe në misionin e mëparshëm.

A është i mundur ulja në Hënë në 2028?

Nëse rikthimi në Tokë përfundon me sukses, tabloja e përgjithshme e Artemis II do të jetë inkurajuese: raketa funksionoi, anija performoi mirë  dhe ekuipazhi u përshtat me sukses.

Megjithatë, ekspertët mbeten të kujdesshëm. Një ulje në Hënë deri në vitin 2028 konsiderohet ende një objektiv ambicioz.

Sipas vlerësimeve, një afat më realist mund të jetë edhe 3–4 vite më vonë. Gjithçka do të varet nga zhvillimi i moduleve të uljes, ritmi i misioneve dhe vullneti politik.