Një 27-vjeçar tunizian është arrestuar në rajonin e Parisit nën dyshimet për terrorizëm, pasi autoritetet franceze besojnë se ai po planifikonte një sulm të mundshëm ndaj muzeut Louvre.
Sipas gazetës franceze Le Monde dhe Prokurorisë Kombëtare Kundër Terrorizmit (PNAT), i riu me emrin Dhafer M. u arrestua më 7 maj dhe më pas u vu në paraburgim më 11 maj, nën akuzën për “bashkëpunim kriminal terrorist me qëllim kryerjen e krimeve ndaj personave”.
Hetimet tregojnë se një kontroll rutinë trafiku në qendër të Parisit çoi në zbulimin e planit të dyshuar terrorist. Policia e ndaloi më 28 prill, pasi ai po drejtonte automjetin me patentë false.
27-vjeçari, i lindur në Djerba të Tunizisë në vitin 1999, kishte hyrë në Francë në vitin 2022 përmes ishullit italian Lampedusa dhe jetonte ilegalisht në vend. Pas ndalimit, ai u dërgua në një qendër administrative ndalimi për mungesë dokumentacioni të rregullt.
Sipas autoriteteve, kontrolli i telefonit të tij zbuloi materiale të shumta propagandistike xhihadiste, qindra foto armësh dhe thikash, si dhe një foto profili në rrjetet sociale ku shfaqej një luftëtar i ISIS gjatë ekzekutimit të të burgosurve.
Hetuesit pretendojnë se në telefon ishte gjetur edhe një video ku ai ngrinte gishtin tregues — simbol i përdorur shpesh nga ekstremistët islamikë — ndërsa thërriste “Allahu Akbar”.
Ai dyshohet se kishte komunikuar përmes aplikacioneve të koduara me persona jashtë Francës për plane terroriste dhe kishte diskutuar mundësinë e hyrjes në muzeun Louvre dhe vendosjen e eksplozivëve aty.
Në telefonin e tij u gjet gjithashtu një video e hyrjes së muzeut. Sipas hetimeve, ai kishte folur edhe për prodhimin e helmit ricin dhe për sulme ndaj komunitetit hebre në zonën e arrondissement-it të 16-të në Paris, ku punonte shpesh.
Autoritetet thonë se ai kishte shprehur pendesë që kishte ardhur në Francë, të cilën e konsideronte “vend të jobesimtarëve”, dhe kishte deklaruar dëshirën për t’iu bashkuar ISIS në Siri ose Mozambik.
Hetuesit zbuluan gjithashtu kërkime të kryera në ChatGPT lidhur me mënyrën e prodhimit të bombave, sigurimin e kimikateve për eksplozivë dhe efektin shkatërrues të TNT-së. Ai kishte kërkuar edhe informacione për grupet xhihadiste në Siri, Mozambik dhe Niger.
Pas nëntë ditësh ndalimi administrativ, një gjykatës urdhëroi lirimin e tij, por ai u arrestua menjëherë sapo doli nga qendra e ndalimit nga agjentët e shërbimit francez të inteligjencës së brendshme (DGSI).
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari mohoi se po planifikonte sulm terrorist, duke pretenduar se ishte vetëm “kurioz” për mënyrën se si mendojnë mbështetësit e ISIS. Avokati i tij nuk ka bërë ende asnjë koment publik.
Hetimet për çështjen janë hapur zyrtarisht më 6 maj dhe po drejtohen nga shërbimi francez i inteligjencës së brendshme dhe njësia antiterror e policisë së Parisit.