Është arrestuar në Lisbonë të Portugalisë, Arben Kaçorri, kunati i Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur prej dy vitesh.
Mediat portugeze shkruajnë se ai jetonte prej 11 vitesh në një pallat luksoz në Lisbonë.
Bashkë me 52-vjeçarin shqiptar u arrestua edhe fqinji i tij portugez, i cili kishte gjithashtu edhe pasaportë holandeze, Ícaro Leddy Gouveia, 48-vjeç, i lidhur me mafian marokene, por që vepron kryesisht në Holandë.
Kaçorri dhe portugezi, drejtonin një rrjet kushtuar trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë.
Sipas autoriteteve portugeze, atyre iu janë sekuestruar “sasi të mëdha parash, disa automjete të nivelit të lartë, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike”.
52-vjeçari Kaçorri është i njohur për të shkuarën e tij kriminale, ndërsa edhe vëllai i tij, Valentino Kaçorri përmendet edhe si pjesëtar i mafies ballkanike.
Në maj të vitit 2009, ai u dënua në Itali me 21 vjet e tetë muaj burg për vrasjen e bashkëatdhetarit të tij Fatmir Kala, në Firence, si dhe për armëmbajtje pa leje. Dënimi u bë i parevokueshëm në tetor 2010, pasi ankesa e tij (e fundit) u refuzua. Autoritetet italiane, megjithatë, nuk arritën kurrë ta lokalizonin Kaçorrin në mënyrë që ai të vuante dënimin. Shqiptari ka përfituar edhe falje prej tre vitesh, por duhet të vuajë 18 vjet e tetë muaj burg për atë krim.
Arben Kaçorri raportohet të jetë arrestuar më datë 3 korrik, por lajmi në mediat portugeze është raportuar më datë 11 korrik.