Durim Bami, një nga personat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, është arrestuar në Dubai.
Ai rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, ku u goditën disa grupe kriminale. Anëtarët e shtatë bandave të rrezikshme, mes të cilëve dhe zyrtarë policie akuzohet se janë përfshirë në veprimtari kriminale, si vrasje, tentativa vrasje, kultivim kanabisi etj.
Sipas dosjes së SPAK, Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës. Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë.
Njoftimi i Policisë:
Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara, u arrestua në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi D. B., 45 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurise “Arrest në burg”, per veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Vijon procedura per ekstradimin e ketij shtetasi drejt vendit tone.