Arrestohet “koka” e grupit të Shijakut, Astrit Avdyli gjendet në shtëpinë e tij

Kreu i grupit kriminal të Shijakut Astrit Avdyli është arrestuar në shtëpinë e tij në Shijak.

Avdyli ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Në maj 2024, ndaj dy vëllezërve të botës së krimit në Shijak, Astrit dhe Altin Avdylaj, janë lëshuar urdhër arreste nga Prokuroria e Posaçme, mes 50 të tjerëve.  Në momentin e arrestimit, atij i është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë e cila ishte pa leje.

Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet, ndodhen prej kohësh jashtë vendit.

Në listën e personave që janë në kërkim rezultonin dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.

Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.

Kush ishte Astrit Avdyli?

Astrit Avdyli, 45 vjeç, ishte në listën e top njerëzve më të kërkuar nga drejtësia shqiptare që në vitin 2013, pasi rezultonte si i dënuar me 12 vite burg për vrasje.

Me origjinë çame, i rritur jetim dhe pa baba, Astrit Avdyli njihet si i “Urti”, pasi në dallim nga të tjerët e grupit, Astriti i zgjidhte punët pa dhunë. Grupi i Shijakut njihet si një grup i përbërë me njerëz të dhunshëm.

Babai i tre fëmijëve, u përfshi që në vitet ’90 në trafikun e drogës dhe kokainës. Me kalimin e viteve, ai u bë edhe më i fuqishëm, me lidhje të forta, që siç mësohet sot, shkojnë deri tek kupola e shtetit shqiptar. Vëllezërit Avdyli, Shkëlqim, Jasin, Astrit dhe Altin akuzohen për vrasje, prostitucion, trafik droge dhe disa vepra të tjera penale.