Teksa na ndajnë edhe 4 ditë nga zgjedhjet e 11 Majit, një kandidat për deputet ka rënë në prangat e policisë pasi është kapur me drogë.
Burime për mediat bëjnë me dije se policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë kandidatin e koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Ergys Isufi, të cilit i është gjetur me vete një dozë me kokainë.
Fillimisht kandidati për deputet ka tentuar që të largohet kur ka pikasur policinë, por blutë e Sarandës kanë mundur ta neutralizojnë. Gjithashtu bëhet me dije se policia ka bastisur banesën e tij në Sarandë për kontroll.
Nga policia e qytetit bregdetar nuk ka ende një njoftim zyrtar për arrestimin e Isufit.
Por teksa ky koalicion, kryesuar nga Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani kërkon që të përfaqësojë qytetarët shqiptarë në Kuvend në katër vitet e ardhshme, njëri prej kandidatëve të tij kapet me drogë.
Kjo tregon se si forcat politike vendosin që t’u prezantojnë shqiptarëve kandidatë të cilët nuk kanë kurrsesi integritetin që ata t’i përfaqësojnë në Parlament dhe të bëhen zëri i tyre, në lidhje me problemet që ata mund të kenë.
Një problem ky që është evidentuar edhe më herët. Mjafton të përmendim ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe lidhjet e tij me krimin.
Përgjimet nxorën në pah se emri i tij ishte futur i treti në listën e PS-së pas ndërhyrjeve të anëtarëve të bandave kriminale. Konkretisht Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçi, i vrarë në Durrës, bisedonin për ta futur Çyrbjan në listën e PS-së për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, të tretin dhe jo të pestin siç ishte parashikuar.