Arrestohet Jorgo Goro, i përfshirë në tjetërsimin e pronës së Artan Gaçit në Himarë, bashkëshortit të Olta Xhaçkës

Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës, është arrestuar ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Së bashku me të është arrestuar edhe Stavri Mëhilli, ndërkohë që tre të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

Jorgo Goro akuzohet si i përfshirë në tjetërsimin e 5500 metër katrorë tokë në Gjilekë të Himarës, e cila kaloi në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.

Nëpërmhet kësaj toke, ai mori edhe statusin e investitorit strategjik, edhe pse bashkëshortja e tij ishte ende ministre. Por pak muaj më parë, SPAK filloi hetimet pas kallëzimit të Fredi Belerit dhe e sekuestroi truallin.

Media Ditari ka zbardhur kallëzimin e Belerit, në të cilin përfshihen edhe ish-ministrja Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj Artan Gaçi.

Ata akuzohen nga Beleri se kanë bashkëpunuar për të falsifikuar dokumentet e tjetërsimit të një toke bujqësorë me sipërfaqe 5512 në truall. Në objekt-padi Beleri thotë se nëpërmjet një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi, kanë rrjedhur përfitime të padrejta pasurore për trashëgimtarin e tokës dhe personave të tretë.

“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi. Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.

Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj. Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.”- thuhet në padi.

Beleri e akuzon Jorgo Goron se ka falsifikuar dokumentet, ka shpërdoruar detyrën, akuzë kjo e fundit që e ka ngritur edhe për ish-Minstren e Mbrojtjes, Xhaçka. Për bashkëshortin e kësaj të fundit, së bashku me trashëgimtarin e tokës, Beleri krahas falsifikimit të dokumenteve, i akuzon edhe për veprën penale të Pastrimit të Parave”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni  186/2 i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.  

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 31, datë 23.03.2024, ka vendosur:

1.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Jorgo Goro, me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale  “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.  

2.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Jerasimo Bashi, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.  

3.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Bilbil Aliaj, me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.  

4.    Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Vezir GJikoka, me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

5.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Stavri Mëhilli,  si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ekzekutuar në datën 23.03.2024, masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 31, datë 23.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tre personave të hetuar J.G., B.A. dhe V.GJ., në kuadër të këtij procedimi penal, ndërsa për dy personat e tjerë masat e sigurimit personal nuk janë ekzekutuar ende.

-Nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasi J. G., në  cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar  me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Gjithashtu, shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në një episod tjetër objekt hetimi i të njëjtit procedim penal, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës penale. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe  më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e  cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e  pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Në këto rrethana shtetasit J.G. dhe J.B, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

-Ndërsa shtetasit B.A. dhe V.GJ, përkatësisht Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes) dhe Jurist pranë kësaj drejtorie (në kohën e ngjarjes), me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë pranuar dokumentacionin ligjor, përpunuar këtë të fundit dhe lëshuar një vërtetim nga dokumentat hipotekorë, pa kryer asnjë verifikim ligjor apo në terren nga ato që ligji i detyron, duke kryer në këtë mënyrë regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme në pronësi shtet, të llojit tokë buqësore, me sipërfaqe 5512 m2, në favor të shtetasit F.M.  dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. Kjo pasuri, siç ka rezultuar nga hetimi paraprak deri në këtë fazë, buron nga dokumenta tërësisht të falsifikuara. Në lidhje me këto veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të kryera në bashkëpunim, këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal. 

-Në lidhje me shtetasin tjetër nën hetim Stavri Mëhilli, nga hetimi deri në këtë fazë,  ka rezultuar se ky i fundit, ka përdorur më shumë se një herë, pranë disa institucioneve por edhe organeve proceduese, dokumenta dhe formularë të  falsifikuar, veprime këto që më pas kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të F.M. (trashëgimlënës) të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5512 m2, ndodhur në Dhërmi, Vlorë. Pas regjistrimit të pasurisë në emër të  trashëgimtarëve, mes të cilëve dhe shtetasit nën hetim, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin A.G., duke sjellë njëkohësisht edhe përfitim material të padrejtë për shtetasin nën hetim S.M. Në këto kushte, dyshohet se ky i fundit ka konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni  186/2  i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodi Penal.