Një çift shqiptarësh janë arrestuar në Athinë, pasi gjatë kontrollit të policisë, në mjetin me të cilin udhëtonin u janë gjetur lëndë plasëse dhe armë.
Policia e Athinës siç bëjnë me dije mediat greke, po kryente një kontroll rutinë në rrugën “Sokratous”, ku u zbuluan më pas një armë dhe lënda plasëse.
Dy shqiptarët, Armiol Rrasa dhe Daniela Luari, janë shoqëruar për në komisariat, ku do të merren në pyetje për të mësuar burimin dhe destinacionin e armatimeve që iu gjetën në makinë.
Armiol Rrasa është person me precedentë penalë në Shqipëri dhe në Greqi. Në Greqi është dënuar me burg për trafik droge në vitin 2008 dhe është liruar në vitin 2015.
Daniela Luari rezulton pa precedentë penale në Greqi. Ajo rezulton e ndaluar vetëm një herë për mungesë të lejes për shërbim.
Sipas informacioneve, arma që ata posedonin ishte një pistoletë tip Tokarev, ndërsa sipas të njëjtave burime, çifti automjetin luksoz e kishin në posedim me qira.