Një 27 vjeçar grek, përdorues i lëndëve narkotike është arrestuar si personi që ekzekutoi në muajin gusht shqiptarin Artur Bashimi.
Autori ka thënë para policisë greke se kreu krimin në këmbim të një shume prej 15 mijë euro. Megjithatë ai pretendoi se nuk njihte personin që urdhëroi ekzekutimin e 47 vjeçarit shqiptar.
Krimi ndodhi në orën 21:25 të mbrëmjes së 18 gushtit në kryqëzimin e rrugëve Michael Voda dhe Rodou në Athinë. Autori i krimit, me motoçikletë, iu afrua Bashimit dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje u sekuestrua një fishek dhe një gëzhojë arme zjarri.
Bashimi kishte precedentë penalë në Greqi për vjedhje dhe përfshirje në organizata kriminale. Ai u arrestua për herë të parë në shkurt 2022 si pjesë e një grupi që kryente grabitje në mjetet e transportit publik dhe sërish në prill 2024 për akuza të ngjashme.
Autoritetet mendojnë se vrasja ishte një mesazh drejtuar vëllait të viktimës, i cili jeton në Larisa dhe dyshohet të jetë i përfshirë në rrjete kriminale të ndryshme.