Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimin për daljen e sekretit hetimor përsa i përket arrestimit të ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni.
Sipas njoftimit të SPAK, nën hetim do të jenë edhe funksionarët e drejtësisë, personeli administrativ i organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë.
Prej disa ditësh në media qarkullonte lajmi për arrestimin e Dakos, pavarësisht se Policia nuk kishte kryer asnjë noperacion për arrestimin e tij, por vetëm po e mbante nën vëzhgim.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet për kryerjen e veprës penale ”Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Fillimi i hetimeve kryesisht për këtë vepër penale është bërë për shkak të zbulimit ndaj të tretëve të të dhënave dhe të përmbajtjes së akteve procedurale, të cilat përbëjnë ”sekret hetimor”, që lidhen me veprimet procedurale të paraqitjes dhe të shqyrtimit të kërkesës me objekt caktimin e masave të sigurimit në ngarkim të shtetasve V.D etj, të kryera në kuadër të procedimit penal nr.197 viti 2020 të Prokurorisë së Posaçme.
Objekt i hetimeve do të jenë veprimet e të gjithë personave të përfshirë në kryerjen e veprimeve procedurale për caktimin e masave të sigurimit për procedimin penal nr.197 viti 2020, duke përfshirë funksionarët e drejtësisë, personelin administrativ të organeve procedurale, si dhe çdo person tjetër që ka marrë dijeni për veprimet procedurale për shkak të funksionit të tij, të cilët mundet të kenë zbuluar të dhënat sekrete ndaj personave të tretë.