Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, policia i kontrollon edhe banesën, ja për çfarë u ndalua

Dritan Goxhaj, shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë gjatë vitit 1999, është arrestuar ditën e sotme në Tiranë nga Policia, pas urdhrit të dhënë nga Gjykata Speciale e Kosovës.

Arrestimi i Goxhajt mësohet se është bërë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas luftës në Kosovë, një prej tyre edhe këshilltarja e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë.

Gjithashtu Policia ka bërë edhe kontrollin e banesës së tij, ndërkohë që materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, teksa Goxhaj do të ekstradiohet në Hagë.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.