“ARRATISET” ARBEN AHMETAJ! Avokatët e pranojnë, ish-ministri nuk ndodhet në Shqipëri! Përplasje e fortë Bardhi – Felaj

Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri! Ky është lajmi i bujshëm që dhanë avokatët e tij në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që ka nisur pak orë më parë, kur u pyetën nga deputetët e opozitës.

SPAK po pret vendimin për heqjen e imunitetit për ish-ministrin, në mënyrë që të procedojë me arrestimin e tij, por tashmë do të jetë e vështirë për ta që të prangosin Ahmetajn, në rast se ky i fundit nuk vetëdorëzohet.

Ahmetaj akuzohet për 3 vepra penale në lidhje me aferën e inceneratorëve, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie, teksa SPAK ka faktuar të gjitha rastet e korrupsionit të tij së bashku me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve janë përplasur ashpër Ermonela Felaj dhe Gazment Bardhi, me këtë të fundit që ka akuzuar deputeten socialiste se është në konflikt interesi, pasi emri i saj është në dosjen e SPAK.

“Emri yt është në këtë dosje. Ti ke frikë sepse emri yt është në dosje. Lëri njerëzit të kuptojnë që ti njësoj si Ahmetaj ke qenë pro ndërtimit të inceneratorëve. Je në konflikt interesi!” u shpreh Bardhi në debat e sipër.

Gazment Barhdi ka pyetur SPAK edhe për  çështje të tjera që lidhen me Arben Ahmetajn, por edhe për inceneratorin e Tiranës, Erion Veliajn dhe Edi Ramën.