Sajid Akram dhe djali i tij, Naveed, u kishin treguar familjarëve se do të shkonin për peshkim. Në realitet, ata u drejtuan drejt një apartamenti të marrë me qira, ku transferuan arsenalin e tyre: disa armë, të blera ligjërisht, dhe disa mjete shpërthyese artizanale. Ai apartament shërbeu si baza nga e cila u nisën për të kryer masakrën e Hanukës në Bondi Beach.
Informacionet e reja – ende të pjesshme dhe në proces verifikimi – nuk e përjashtojnë pistën e Shtetit Islamik, për të paktën dy arsye. E para: në vitin 2019, Naveed kishte qenë nën vëzhgim nga policia për dyshime mbi lidhje me xhihadistët, por nuk kishin dalë elemente të mjaftueshme për arrestim. E dyta: në automjetin e autorëve u gjetën dy flamuj të Kalifatit dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë kryer një betim besnikërie ndaj lëvizjes, akt që zakonisht paraprin sulmet terroriste.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar profilet e atentatorëve dhe për të zbuluar lidhje të mundshme. Sajid, 50 vjeç, me origjinë pakistaneze, kishte hyrë në Australi në vitin 1998 me vizë turistike dhe ishte vendosur përfundimisht në vend, ku kishte hapur një dyqan frutash dhe perimesh. Naveed, 24 vjeç, i lindur në Australi, kishte ndjekur studime fetare dhe punonte si punëtor, por kishte mbetur i papunë prej disa muajsh.
Sajid, anëtar i një shoqate qitjeje dhe gjuetar, kishte zgjidhur problemin më të rëndësishëm logjistik: sigurimin e armëve. Ai zotëronte disa pushkë dhe municione, të regjistruara ligjërisht, të cilat i kishte marrë me vete në një çantë shpine gjatë sulmit. Pikërisht me këto armë u krye edhe inkursioni, i cili përfundoi me vdekjen e tij nën zjarrin e forcave të rendit. Naveed ndodhet i shtruar në spital me plagë të rënda dhe mbi të janë përqendruar vëmendja dhe hetimet kryesore.
Thellim i hetimeve
Mbetet për t’u sqaruar se si u realizua brenda familjes ideja për të kryer një masakër, duke goditur një festë në plazh. Dyshohet se dyshja mund të ketë ndjekur një nga thirrjet e shumta të propagandës së “luftës së shenjtë” për të vrarë “hebrenj dhe kryqtarë”, ose se mund të jenë nxitur nga persona të tretë. Nën vëzhgim janë kontaktet me qendrën islamike Medina Dawa, si edhe një udhëtim i kryer nga të dy në Filipine, një zonë ku veprojnë grupe të armatosura radikale.
Fakti që Akramët vendosën të vepronin së bashku është domethënës: lidhja familjare është një element i shpeshtë në formacionet integraliste, pasi parandalon tradhtinë, forcon bindjen ideologjike dhe shërben si një “shtesë e fuqishme” për të çuar përpara zgjedhje ekstreme.
Burime zyrtare kanë bërë të ditur se ndaj Naveed ishin kryer verifikime edhe pas zbulimit të një qelize të ISIS-it në Australi. Dhe kjo nuk ishte e vetmja. Në të kaluarën, shërbimet antiterroriste kishin parandaluar një plan të organizuar nga një grup vëllezërish dhe kushërinjsh për të shkatërruar një avion pasagjerësh të Emirateve të Bashkuara Arabe. Të trajnuar dhe financuar nga një kontakt në Siri, militantët – të gjithë me origjinë libaneze – kishin ndërtuar bomba për t’i fshehur në grirëse mishi dhe lodra për fëmijë. Plani u neutralizua nga siguria, por mbetet dëshmi e qartë e një kërcënimi të vazhdueshëm.
Ky kërcënim është rishfaqur disa herë në Australi në forma të ndryshme: veprime të “ujqve të vetmuar”, sulme me thikë dhe agresione të dhunshme, të nxitura edhe më shumë paralelisht me konfliktin në Gaza.
Në gusht, autoritetet australiane dëbuan ambasadorin iranian si reagim ndaj mbështetjes së dhënë nga pasdaranët për një seri aktesh antisemite në Australi. Në këtë skemë ishte përfshirë edhe një kriminel ordiner, i paguar për të kryer misionin – një modus operandi që Irani e përdor gjerësisht. Këto episode, sipas burimeve izraelite, do të duhej të kishin nxitur një vigjilencë më të madhe, edhe sepse Mossadi kishte paralajmëruar Australinë dhe partnerë të tjerë perëndimorë për rrezikun e atentateve. Sipas Tel Avivit, ka pasur një nënvlerësim të kërcënimit nga autoritetet lokale, çështje që më pas është shndërruar në një përplasje politike me kryeministrin australian, Anthony Albanese. Corriere della sera