“Argat i Vuçiçit”, Rama e Berisha përplasen për Kurtin dhe Kosovën

I pyetur për aludime që lidhen me mundësinë që SHBA do të shpallë nongrata kryeministrin e Kosovës, Rama u shpreh se nuk ka ende deklarata publike por bëhet fjalë për disa dokumente që qarkullojnë që as janë konfirmuar, por as janë mohuar. Duke e lënë kështu të hapur mundësinë për ekzistencën e një version të shpalljes nongrata të Albin Kurtit.

“ Nuk hyj farë në këto sepse edhe nuk kanë rëndësi të veçantë nëse janë apo jo të vërteta, përsa kohë nuk janë deklarata publike, por janë dokumente që qarkullojnë të pakonfirmuara, po as të mohuara. Nuk është fati i Albin Kurtit në lojë, por fati i Kosovës si e tërë. Natyrisht që unë dua vetëm suksesin e Albin Kurtit, qeverisë së Kosovës dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rrimë më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënieve nga aleatet, ku e humbura e madhe është Kosovë”, tha Rama.

Ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës e ka cilësuar ish-kryeministri Berisha, propozimin e kryeministrit Rama për marrëveshjen e asosacionit të komunave me shumicë serbe.
“Maskat ranë! Argati i Vuçiçit në detyrim ekstrem shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe një prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnjë dhe Kosovë! Sot Rama në detyrim, doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e asociacionit së komunave me shumicë serbe. Teksti është shkruar në Beograd dhe më pas rishkruar në Tiranë. Ky akt përbën ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës, në emër të Beogradit, akti më i shëmtuar në historinë e marrëdhënieve të dy vende, që nxit dhe nuk qetëson konfliktin. Akt me të cilin Rama tenton të zgjidhë problemin e tij me McGonigal”, tha Berisha.