Në 1 korrik, Gjykata e Apelit do të japë vendimin për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021 dhe i dënuar me 22 vite burg.
Në seancën e sotme gjyqësore, avokati i tij Marash Martini kërkoi rikualifikim të veprës penale, nga ajo e vrasjes, në vrasje në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
Sipas përfaqësuesit ligjor të ish-efektivit të RENEA-s, Paplekaj ka qëlluar instiktivisht për vetëmbrojtje dhe ka reaguar pasi kanë qëlluar me armë shtetasit e tjerë dhe pasi ka parë një nga miqtë e tij të plagoset.
Ai u ndal edhe tek rezultatet e ekspertëve, të cilët arritën në konkluzionin se Xhuvani ka qenë afër një personi që ka qëlluar me armë.
Nga ana tjetër, Prokuroria kërkoi të qëndrojë në fuqi dënimi me 22 vite burg për Paplekajn ndërsa seanca e radhës ku do të shpallet edhe vendimi do të mbahet më 1 korrik në orën 14:00.