Apeli uli dënimin për vrasësin e efektivit të Shqiponjave, Lamallari: Vendim thellësisht shqetësues, dekurajon kolegët në uniformë

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari reagoi pas vendimit të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për zbutjen e dënimit për Azgan Mërnicën, vrasësin e efektivit të Shqiponjave në Fier, Novruz Cenalia, ngjarje kjo e ndodhur 2 vite më parë.

Përmes një postimi në Facebook,  Lamallari e cilësoi vendimine Gjykatës si një akt që dekurajon kolegët në uniformë dhe rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm ndërsa Apeli vendosi dënimin me 35 vite burg.

Postimi i Lamallarit:

Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë.