GJKKO e Apelit ka lënë në burg ish-shoferin e Ardi Veliut, i cili kërkoi që të hetohet në liri duke kërkuar një masë sigurimi më të butë se arresti me burg.
Apeli la të pandryshuar edhe masat për bashkëshorten e Idrizajt, Elda Idrizajn, e cila ndodhet në qeli, si dhe për një nga vajzat e tij që ndodhet në “arrest shtëpie”.
Me vendim të Apelit në burg do të qendrojnë edhe 3 të pandehur të tjerë, ndërsa u zbut masa për 4 të tjerë, mes tyre efektivë policie dhe biznesmenë.
Konkretisht u ndryshua masa e sigurisë për:
Vangjush Kashara – Arrest me burg, nga sot në Detyrim paraqitje
Tomorr Baruti – Arrest me burg, nga sot në Detyrim paraqitje
Gentian Aga – Arrest me burg, nga sot në Arrest në shtëpi
Alid Shehi – Arrest me burg, nga sot në Arrest në shtëpi
SPAK po e heton këtë dosje për 12 akuza, më të rëndat prej tyre ajo e pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal.
Referuar organit të hetimit kata persona kanë futur ilegalisht nga Franca në Shqipëri sende me vlerë të cilat shiteshin në argjendari, si dhe vlera monetare.
Prokuroria e Posaçme thotë se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 Euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme kapin vlerën e 2.1 milionë Euro dhe 35.000 Franga.