Apeli i Posaçëm e dënoi me burg, ish-kreu i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj dyshohet të jetë arratisur

Ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dyshohet se është arratisur. Ai u dënua nga Gjykata e Apelit të Posaçëm me 2 vite e 8 muaj për çështjen e tjetërsimit të 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun.

Mediat shkruajnë se gjatë kontrolleve që janë bërë për të ekzekutuar urdhrin e SPAK për kthimin e tij në qeli, Frrokaj nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj rezulton se nuk ka dalë nga territori i Shqipërisë, të paktën në rrugë ligjore. Autoritetet vijojnë kërkimet për gjetjen dhe rikthimin në qëli të ish-kryetarit demokrat të Lezhës. 

Apeli prishi vendimin e GJKKO-së që kishte dënuar Frrokajn me 1 vit e 4 muaj burg dhe pranoi kërkesën e prokurorit Dritan Prenci për një dënim 4 vite, i ulur me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.