Në një tryezë të rrumbullakët në tetor 2024, disa prej pjesëmarrësve, gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga procesi i vetingut, e kritikuan reformën që tashmë po i afrohet fundit, duke e cilësuar atë: “tentativë të pushtetit ekzekutiv për të kontrolluar gjyqësorin”.
Në opinionin e tyre, reforma nuk ka sjellë ndryshime për mirë në sistemin gjyqësor, ndërsa biseda mori karakter personal, kur disa sollën edhe përvojat e tyre personale në lidhje me kontrollin nga institucionet e vetingut, të cilat sipas tyre nuk zbatuan ligjin.
Në asnjë moment, asnjë prej folësve nuk përmendi gjendjen e sistemit gjyqësor në vitin 2016, kur ndryshimet kushtetuese në lidhje me këtë proces kaluan në parlament, nëse vërtet kishte korrupsion dhe nga se ishte krijuar perceptimi i një sistemi gjyqësor korruptiv.
Reforma në drejtësi u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016 dhe kishte si bazë mungesën e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe perceptimin e lartë të korrupsionit në këtë sistem. Në vitin 2016, IDM publikon një sondazh të opinionit publik në lidhje me besimin në qeverisje, ku sistemi i drejtësisë paraqitej si institucioni me besimin më të ulët të publikut. Sipas këtij sondazhi, 74% e të anketuarve u përgjigjën se nuk kanë besim në gjyqësor. Gjithashtu, sistemi gjyqësor vlerësohej (perceptohej) dhe si institucioni më i korruptuar nga publiku.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi bashkë me ekspertët në vitin 2016 përgatitën një raport ku evidentohej niveli i perceptimit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Problemi që mund të vihet re në këtë raport kyç që solli argumentimin e nevojës për reformë, dukshëm qëndron në faktin se ai, ndërsa paraqiste gjendjen ashtu siç ishte, nuk përmbante ndonjë analizë të historikut të sjelljes institucionale që sollën këtë gjendje. Me pak fjalë, përgjegjësia dhe sjellja e institucioneve, që deri në atë pikë kishin pasur për detyrë të kontrollonin sistemin e drejtësisë, nuk u shqyrtua por u mjaftua të thuhet se gjërat ishin siç ishin. Një analizë e tillë ishte shumë e nevojshme në atë kohë, por duket se është jetike sot jo vetëm specifikisht për jetëgjatësine e rezultateve të reformës, por edhe për në përgjithësi për nivelin e drejtësisë në vend.
Gjyqësorit tashmë i takon të jetë më i vëmendshëm, jo vetëm për të zbatuar ligjin, por mbi të gjitha për të kontrolluar dhe pastruar veten. Kjo është e domosdoshme jo vetëm për të mos arritur sërish në nivelet e korrupsionit të para-reformës apo për arsyet e larta morale të dhënies së drejtësisë, por mbi të gjitha për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të tij.
Besoj se tashmë është e qartë, se nuk mund të jemi të sigurtë që politika e mishëruar në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, nuk ka për të përdorur përsëri kartën e korrupsionit për reforma të reja në të ardhmen. Por që kjo të mos ndodhë, duhet që gjyqësori i pari dhe mbi të gjithë, të shqetësohet për perceptimin që ka publiku për të. Kjo do të kontribuonte në rritjen e integritetit dhe arritjen e asaj që është thelbi i çdo shteti ligjor, ndarja e pushtetit.
Duhet gjithashtu të jetë e qartë se pavarësia e sistemit gjyqësor nuk është qëllim në vetvete, por mjet i domosdoshëm në dhënien e drejtësisë, i cili ishte qëllimi i këtij procesi dhe qëllimi i ekzistencës të sistemit në përgjithësi.
Kontrolli i pasurisë në të ardhmen
Vetingu u mbështet në tre shtylla kontrolli për magjistratët, në kontrollin e pasurisë, që ka të bëjë me faktin nëse pasuritë e tyre në pronësi apo përdorim mund të justifikoheshin me të ardhurat e tyre të deklaruara e të ligjshme, gjithashtu nëse i kishin deklaruar plotësisht dhe saktësisht pasuritë e tyre. Ky kontroll u bë mbi bazën e deklarimeve periodike të pasurisë dhe deklarimit total të pasurisë për procesin e vetingut. Shtyllat e tjera janë kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.
Gjatë procesit të vetingut u pa qartë se kontrolli i pasurisë ishte shtylla në të cilën u bazuan shumica dërrmuese e shkarkimeve, madje në një masë të tillë, që shumë subjekte u shkarkuan vetëm në bazë të problemeve me pasurinë.
Sipas BIRN, nga 268 raste shkarkimi nga detyra në KPK, për 234 subjekte ose 87% e totalit u gjetën në pamundësi për të justifikuar me burime të ligjshme pasuritë e tyre. Problemet në çështjet e pasurisë ishin nga më të ndryshmet, nga pamundësia për ta justifikuar atë (duke marrë parasysh që si kosto e jetesës për subjektet u mor minimumi i parashikuar nga INSTAT), konstatime veprimesh fiktive ose evidentim pasurish të fshehura.
Duke qenë se sfida më e madhe për këtë periudhë pas vetingut, do të jetë mbajtja dhe përmirësimi i standardeve dhe rezultateve të arritura, këto shifra sigurisht ngrenë pikëpyetjet se cili do të jetë organi që do duhet të ketë përgjegjësinë më të madhe në të ardhmen për mbajtjen e standardeve.
Dukshëm, rezultatet e reformës nxjerrin në pah shumë qartë rolin kyç që duhet të ketë Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, në të ardhmen, për të mbajtur standardet e arritura nga reforma. Është ky institucioni i cili kontrollon deklarimet periodike të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të cilit i duhet të bëjë në të ardhmen punën e organeve te vetingut në lidhje me kontrollin e ligjshmërisë së pasurisë.
Pyetja që ngrihet në lidhje me këtë është, a është ILDKPKI gati për ta bërë këtë? A ka ky institucion kapacitetet dhe bazën ligjore të duhur për të kontrolluar pasurinë e magjistratëve në mënyrë të tillë që Shqipëria mbas 20 vitesh të mos vijë më në gjendjen kur duhet të bëjë përsëri veting? Kjo pyetje është veçanërisht e rëndësishme për t’u përgjigjur, kur mendon se ky institucion ka bërë që prej vitit 2003 kontrollin e pasurive të gjyqtarëve e prokurorëve dhe erdhëm në këtë situatë, kur gjithë sistemi gjyqësor iu nënshtrua vetingut. Bazuar në këtë është e rëndësishme një analizë në lidhje me rolin e këtij institucioni dhe se si duhet të përmirësohet puna e tij, në mënyrë që kontrolli i deklarimit të pasurive për magjistratët të bëhet në mënyrë efektive.
Ky institucion dhe vetë sistemi janë jetikë, jo vetëm për të ardhmen e reformës, por dhe për të siguruar që pasojat që i erdhën sistemit nga ky proces të mos përsëriten më dhe taksat e shqiptarëve dhe europianëve që u investuan në të, të jenë shpenzuar siç duhet.
Vetëpastrimi i sistemit
Çdokush që shikon rezultatet e vetingut dhe masën e lartë të shkarkimeve do duhet të mendojë se si arritëm në këtë pikë dhe të pyesë, a ka pasur mundësi ose vullnet sistemi për të pastruar veten para se të përballej me një proces si vetingu?
A e kanë kryer institucione si Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektorati punën e tyre në kontrollin e gjyqtarëve? Po Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Prokurorisë a patën bërë çfarë duhej në mënyrë që të pastronin radhët e veta nga ata të cilët nuk meritonin të ishin pjesë e sistemit? Nëse kjo nuk është bërë, a ka kontribuar kjo mungesë veprimi që të arrihej në atë nivel aq të lartë prej 74% mosbesimi në sistem?
Institucionet e reja të drejtësisë do duhet ti bëjnë këto analiza duke qenë se pavarësisht emrave të ndryshuar, kompetencat nuk janë shumë të ndryshme nga institucionet e para reformës. Ajo çka është thelbësore është vullneti i këtyre institucioneve për të garantuar llogaridhënien e gjyqësorit, që do të jetë baza për të krijuar një sistem drejtësie më pak të korruptuar.
Po vetë sistemi a ka bërë mjaftueshëm për pastrimin e tij? Open Data Albania (ODA) ka bërë një analizë të procedimeve penale për nenin 257/a në lidhje me mos deklarimin, fshehjen dhe deklarimin e rremë të pasurive nga magjistratët të cilët janë subjekte deklarimi në ILDKPKI.
Ky nen vihet në lëvizje nga ILDKPKI dhe rastet të cilat arrijnë në nivelin e veprës penale dërgohen në prokurori për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas analizës që Open Data Albania i ka bërë të dhënave nga Vjetarët Statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë, rezulton që në vitet 2005 deri 2015, janë proceduar dhe janë dënuar me vendim gjyqësor në total 67 subjekte. Konkretisht për paragrafin e parë të nenit që përkon me mosdeklarim apo refuzim për Deklarim, janë proceduar në dhjetë vite në total 45 individë, dhe janë dhënë nga gjykatat 44 vendime.
Ndërkohë, për paragrafin e dytë të këtij neni (257/a) që përkon me fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave rezultojnë në dhjetë vite 20 procedime gjyqësore dhe 22 të dënuar.
Duke pasur parasysh se në shifrat më lart nuk janë vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe zyrtarë të tjerë publikë, shifra prej 234 subjekteve të shkarkuara në pamundësi për të justifikuar pasuritë e tyre do të duhej të na bënte të reflektonim. Kjo në lidhje me institucionet e drejtësisë, të cilat kanë marrë dhe hetuar kallëzimet e ILDKPKI më parë dhe se si kanë proceduar me to.
Duke pasur parasysh dhe procedimin penal së fundmi të kryetarit të Bashkisë Tiranë, ku mes akuzave për bashkëshorten e tij është edhe mosdeklarimi i pasurisë, e kupton se sa i rëndësishëm është institucioni i Inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në të ardhmen, kallëzimet duhet të vijnë më së shumti nga ky institucion se nga kallëzime anonime.
Tjetër moment i rëndësishëm është nëse vetë sistemi do ta ketë vullnetin për të ndjekur kallëzimet penale në lidhje me mosdeklarimet dhe deklarimet e rreme të pasurisë. Ekzistenca e këtij vullneti do të ishte kyçe në luftën kundër korrupsionit, sepse është detyrë e vetë sistemit të bëjë vetëpastrimin e tij ose nëse nuk e bën vetë, do të rrezikojë pastrimin nga jashtë./ BIRN