Analiza: Poshtërimi publik i Nicolas Maduro

Poshtërimi është në qendër të gjithë kësaj dhe ai ishte i dukshëm.

Nicolas Maduro u shfaq me pranga dhe, në disa momente, me kokën ulur gjatë rrugës për në gjykatë. Çdo sekondë pasqyronte një president të reduktuar nga rrethanat.

Ai dhe bashkëshortja e tij mbanin rroba burgu ngjyrë bezhë, ndërsa përballeshin me të ftohtin therës të Nju Jorkut, duke lëvizur shpejt mes automjetit dhe helikopterit për fluturimin e shkurtër mbi East River drejt Manhattanit të Poshtëm.

Është një udhëtim për të cilin turistët paguajnë shuma të mëdha, me Statujën e Lirisë në pamje – ironikisht. Për zotin dhe zonjën Maduro, ky udhëtim ishte thjesht punë.

Rrugët u mbyllën për pjesën tokësore të transportit dhe oficerë ushtarakë shoqëruan kolonën, me armët gati.

Transferimi nga burgu në gjykatë ishte sipas rregullores, po aq “tekstbook” sa edhe transferimi nga Venezuela në Shtetet e Bashkuara. Praktikisht, gjithçka u zhvillua pa probleme, edhe pse politika që e rrethon çështjen është shumë më e ndërlikuar.

Maduro përfaqësohet në gjyq nga një prej avokatëve më të njohur mbrojtës në SHBA, Barry Pollack.

Ai është avokati që ndërmjetësoi marrëveshjen me qeverinë amerikane që çoi në lirimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange.

Një nga pyetjet kryesore për Maduron do të jetë se si arrin të përballojë dhe të paguajë një përfaqësim ligjor kaq të nivelit të lartë, kur ai është nën sanksione amerikane dhe asetet e tij janë të ngrira.

Seanca e paraqitjes së akuzave zakonisht shërben për t’i lexuar të pandehurit akuzat dhe për t’i dhënë mundësinë të deklarojë fajësi ose pafajësi. Kjo do të jetë hera e parë që do të dëgjohet drejtpërdrejt qëndrimi i vetë Madurros për situatën e tij.

Gjykatësi që do të kryesojë çështjen është Alvin K. Hellerstein, i emëruar nga Bill Clinton. Në moshën 92-vjeçare, ai nuk është i panjohur me çështje të profilit të lartë, edhe pse rasti i sjellë përpara tij nga Donald Trump i tejkalon të gjitha.