Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë një marrëdhënie të komplikuar që zgjat prej disa vitesh, ku herë e akuzojnë njëri-tjetrin, e herë bëhen bashkë për interesa të përbashkëta kundër institucioneve të drejtësisë.
Fatmir Xhafaj njihet si një nga njerëzit e besuar të Erion Veliajt, e për Ramën kjo dyshe shihet si grup armiqësor, siç e shprehu edhe vetë disa vite më parë, kur i drejtohej Veliajt me fjalët: “Ai mund të mbjellë pemë sa të dojë, por në një pemë do të varet vetë pasi grupet armiqësore nuk e kanë të gjatë”.
Hakmarrjen ndaj Fatmir Xhafajt që bashkëpunonte me Veliajn e nisi në vitin 2021, kur e la ish-ministrin jashtë listës së sigurt në Tiranë, por Xhafaj arriti të thyente listën falë ndihmës së madhe të Veliajt, që fushatën e orientoi shumë drejt votave personale për mikun e tij.
Pas marrjes së mandatit, socialisti Xhafaj nuk i kurseu akuzat për qeverinë, teksa në media përflitej se disa nga akuzat e mediave të huaja për Ramën kishin për autor ish-ministrin e Brendshëm. Kjo histori zgjati pak vite, derisa të dy u gjendën në të njëjtën situatë.
Interesi i përbashkët
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë një të përbashkët: Të dy i kanë vëllezërit të akuzuar për trafik droge. Nëse për Geron Xhafajn kishte një dënim dhe ishte provuar ky fakt, për Olsi Ramën dosja është ende në SPAK, me opozitën që ka dorëzuar prova të tjera.
Dosja “Babale” ishte në qendër të vëmendjes javën e fundit, për shkak se rrezikohej dënimi i deputetit demokrat Ervin Salianji. Përballë Salianjit ishte Fatmir Xhafaj, i vendosur ta dënonte personin që i shkatërroi reputacionin dhe karrierën dhe i detyroi vëllanë të dorëzohej te autoritetet italiane.
Kryeministri Rama nuk kishte reaguar kaq shumë herë për Olsi Ramën, sa reagoi për Geron Xhafajn. Me postime njëri pas tjetrit, ai tentoi të hidhte baltë mbi denoncuesin për të mbrojtur një trafikant droge, i provuar me fakte nga drejtësia italiane.
Kjo mbrojtje nuk erdhi nga dashuria e tij për Fatmirin apo Geronin, por sepse në të njëjtën situatë është edhe vetë. Ai e di shumë mirë se do të sulmohet deri në fund për vëllanë e tij, të dyshuar se ka lidhje me grupin e laboratorit të drogës në Xibrakë, ndaj nuk mund të qëndronte në hije për Xhafajn.
Në një situatë tjetër, jo vetëm që nuk do e kishte mbrojtur Xhafajn, por do e kishte hedhur vetë në “zjarrin” e SPAK. Edi Rama e ka treguar se i dorëzon të gjithë njerëzit e tij te drejtësia vetëm për të mos cënuar interesat e tij personale.
Në këtë rast, e kishte të pamundur! Me apo pa dëshirë, ai u detyrua të mbronte armikun brenda partisë, edhe pse e dinte shumë mirë se dënimi i Salianjit u bë si në kohën e diktaturës, për “agjitacion dhe propagandë”.
Por, kryeministri e di mirë se rasti i Olsi Ramës nuk është i njëjtë me atë të Geron xhafajt. Nëse Apeli i Tiranës është më lehtë i “korruptueshëm”, dosja e vëllait të tij ndodhet në SPAK, aty ku do të hetohet nga drejtësia e pavarur, nëse ka mbetur e tillë.
Sot, Rama e ka vendosur Xhafajn kryetar të Komisionit të Posaçëm Anti-SPAK, për të mos lejuar drejtësinë t’u arrestojë çdo zyrtar që bën korrupsion dhe grabit paratë e qytetarëve.
Por gjërat mund të ndryshojnë në pak kohë, sidomos nëse provohet se Olsi Rama nuk ka lidhje me trafikun e drogës. Me kalimin e këtij problemi të madh, pë Ramën nis një faqe e re historie, që me shumë mundësi, nuk e ka të përfshirë Fatmir Xhafajn.