Analiza / A do ta përçajë dimri Aleancën Perëndimore në Ukrainë?

Nga Pierre Haski “Worldcrunch”

Paris – Moti është një armë lufte. Dhe një vend ku kjo është padyshim e vërtetë tani është Ukraina. Një valë e të ftohtit rekord ka kapluar vendin ditët e fundit, me erëra të forta në jug të vendit, të cilat kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në zonat nën kontrollin rus dhe ukrainas.

Kjo situatë është një makth i vërtetë për trupat në vijën e frontit, pasi me ndërprerjen e furnizimeve dhe lëvizjes, në rrezik vihet vetë mbijetesa e tyre. Gjithsesi, ky është realiteti i luftës dimërore në këtë pjesë të Evropës, dhe ai është shumë i rëndësishëm në aspektin taktik dhe strategjik.

Në këto rrethana, ajo që Ukraina i druhet më shumë janë sulmet ruse me raketa ose me dronë mbi infrastrukturat energjetike, të dizenjuara për ta zhytur popullsinë civile në të ftohtë dhe në errësirë. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës përfitoi nga vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Kiev, për t’i kërkuar sërish Perëndimit t’i dërgojë sa më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për t’i mbrojtur nga sulmet ruse këto infrastruktura jetike.

Sipas Kievit, 90 për qind e raketave të lëshuara nga armiku arrijnë që të kapen dhe neutralizohen. Por Ukraina pretendon se Moska ka marrë së fundmi dërgesa të reja armësh nga Koreja e Veriut dhe Irani, ndaj zotëron sasi të mëdha rezervash për ta goditur Ukrainën në javët e ardhshme.

Pa marrë parasysh asnjë kosto

Ky kontekst është shumë i rëndësishëm në sfidën e vështirë të ruajtjes së moralit të  ukrainasve pas një viti të vështirë. Kundërofensiva e shumëpritur ushtarake e Kievit, nuk ka sjellë deri më tani rezultatet e pritura, ose të paktën nuk ka pasur një përparim që të rezultojë vendimtar në fatin e luftës.

Ndërkohë javët e fundit ushtria ukrainase i është nënshtruar sulmeve të përsëritura nga ushtria ruse në Avdiivka, një qytet në rajonin e Donbasit që është shndërruar në një simbol të ri të sulmeve të pamëshirshme të ushtrisë ruse.

Thuhet se humbjet e pësuara nga ushtria e Moskës janë të konsiderueshme. Por kjo nuk e ka penguar Rusinë që të dërgojë njësitë të reja në këtë rajon, i cili është rikthyer në një betejë të re simbolike pas asaj për kontrollin e Bakhmut disa muaj më parë.

Por mbi të gjitha, Për më tepër morali i ukrainasve, kërcënohet seriozisht nga frika e zhdukjes së tyre nga “radari” i Perëndimit, që nga ana e tij është shumë i shqetësuar nga tmerret që po ndodhin në Lindjen e Mesme për të ruajtur motivimin e duhur dhe vazhduar me të njëjtin ritëm ndihmën ndaj Ukrainës.

Faktorët Orban dhe Trump

Udhëheqësit perëndimorë vazhdojnë të përbetohen se do ta ndihmojnë në të gjitha frontet Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Këtë e përsëriti së fundmi edhe Sharl Mishel, Presidenti i Bashkimit të Këshillit Evropian për radion franceze France Inter.

Megjithatë ekzistojnë dy vështirësi shumë reale. E para është ajo e turbullirave të mundshme që mund të lindin në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Në Evropë, 27 vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë në samitin e javës së ardhshme një paketë të re ndihme për Ukrainën.

Por blloku ka nevojë për një qasje unanime, diçka që Hungaria e drejtuar Viktor Orban e ka penguar përmes njërës prej sfidave dhe pazareve të tij të zakonshme që synon të arrijë me Brukselin, që kanë për bazë interesat e ngushta të vendit apo të tijat si udhëheqës. 

Dhe në Shtetet e Bashkuara, mundësia që Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale 11 muaj nga tani, është një arsye e mirë që Vladimir Putin të vazhdojë presionin. Vështirësia tjetër qëndron në hendekun Rusi-Ukrainë në terren.

Sipas një raporti të fundit të Financial Times, Rusia ka kaluar tashmë në një ekonomi lufte me një buxhet në fushën e mbrojtjes që është 3 herë më i lartë se në vitin 2021, pra një vit para fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Por Perëndimi që në këtë luftë e mbështet Kievin, nuk po ndjek shembullin e Moskës. Për momentin, ukrainasit duhet ta kalojnë këtë dimër të rrezikshëm, midis motit të egër dhe raketave ruse. Ndërsa Perëndimi duhet t’i ndihmojë ata që ta kalojnë atë, pa marrë parasysh kostot.