Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Gardës pasi nuk morën asnjë masë për protestën e mbështetësve të kryebashkiakut, Erion Veliaj para GJKKO, ditën që do të jepej masa e sigurisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se AMP ka nisur hetimet për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Idris Daulle, shefin e “Shqiponjave”, Ermal Gjoka si dhe dy punonjës të Gardës.
Këto hetime lidhen pasi më datë 12 shkurt, para godinës së SPAK dhe GJKKO nuk u mor asnjë masë për garantimin e sigurisë të prokurorëve dhe gjykatësve nga një numër i madh militantësh të Erion Veliajt.
Kujtojmë se dy ditë pas kësaj proteste, SPAK dhe GJKKO reaguan të shqetësuar duke thënë se protestuesit e mbledhur para SPAK ‘kanë cenuar institucionet dhe kanë intimiduar punonjësit e administratës’.
Sipas SPAK dhe GJKKO, pjesë e protestës ka qenë dhe pengimi i lëvizjes së fugonit të Drejtorisë së Burgjeve, një veprim që ka vënë në rrezik funksionimin e normal të institucioneve përkatëse.
Por policia u justifikua duke thënë se grumbullimi i qytetarëve ishte spontan dhe në këto raste, kordoni policor ishte i panevojshëm.