Në seancën me dyer të mbyllura në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, një deputet e pyeti kreun e SPAK se mos ndoshta institucionin e tij po e dirigjon kreu i qeverisë. Përgjigja e prokurorit Altin Dumani ishte domethënëse;”Askush nuk i bie dot telefonit tim”. Po kush është njeriu që drejton sot institucionin që besohet apo shpresohet më shumë nga shqiptarët?!
Altin Dumani, është kthyer në prokurorin “Kryefjalë” për Shqiptarët.
Kjo pasi me shpalljen e arrestit për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, shpartallimin e bandës “Bajri-Gjoka” në Shkodër dhe përparimin e hetimeve drejt ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kanë ngjallur një farë besimi tek opinion publik.
Besimi, se klasa politike dhe elementë të caktuar të botës së krimit të organizuar, mund të s’pastrohen vetëm nga prokurorë këmbëngulës, të pa korruptueshëm dhe që nuk ndikohen nga rrymat politike.
Nëntë muaj në krye të SPAK, Altin Dumani konsiderohet si tmerri i bandave dhe zyrtarëve të korruptuar të administratës, duke depërtuar përmes hetimeve pikërisht në tre veprat korruptive të inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe së fundi Tiranës.
Tashmë hetimet e SPAK janë përqëndruar dhe tek 4 konçesionet në shëndetësi të miratuara nga ish-ministri Ilir Beqaj dhe zyrtarë të tjerë.
Por kush është prokurori Altin Dumani, tek i cili amerikanët kanë besuar disa herë në testet për goditjen e korrupsionit.
Altin Dumani, ka lindur në fshatin Shupenzë të Dibrës dhe karriera e tij në rradhët e prokurorisë Shqiptare, nisi 24 vjet më parë, kur Arben Rakipi, në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm e emëroi si prokuror në Sarandë.
Në atë periudhë qyteti sa kishte dalë nga gjëndja katastrofike e vitit 1997-1998, kohë kur kishte ndodhur masakra e “Qafë-Gjashtës” dhe një oficer i Policisë së Vlorës, ishte marë peng nga turma.
Pa mbushur vitin në Sarandë, Rakipi, urdhëron Altin Dumanin, të transferohet në qytetin e Tropojës, ku do mbante postin e drejtuesit të kësaj prokurorie, për disa vite me rradhë.
Emërimi i Dumanit në vitin 2000 në Tropojë, ishte periudha e “kasapanës” së vrasjeve në këtë qytet, ku ligji dhe shteti nuk funksiononte. Komisariatin dhe të gjithë administratën e drejtonin njerëzit e familjes Haklaj, të cilët kishin krijuar një zinxhir hasmërish nga Tropoja deri në Kukës.
Pas qëndrimit për disa vite në krye të prokurorisë Tropojë, Dumani në vitin 2004 transferohet në Tiranë, ku bëhet pjesë e grupit të prokurorëve që do formonin Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Gjatë shërbimit në këtë prokurori, Dumani ka përfaqësuar dhjetëra dosje të krimit të organizuar dhe ka mbajtur detyrën e zv/drejtuesit të prokurorisë.
Sërisht me urdhër të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, në vitin 2007, Altin Dumani, largohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u emëruar në krye të një strukture të posaçme antikorrupsion Task-Force, të vendosur në prokurorinë e Tiranës.
Në këtë periudhë, Dumani me mbështetjen e oficeres amerikane Cindy Eldridge, dha rezultate të shkëlqyera në goditjen e shumë rasteve të korrupsionit në Tiranë, në komunat, Bërzhitë dhe Kashar e deri tek arrestimi i ish-zv/ministrit të Transporteve, Nikolin Jaka.
Gjatë drejtimit të Task-Forcës nga Dumani, kjo njësi u kthye në tmerin e politikanëve dhe zyrtarëve të qeverisë “Berisha”, që në atë periudhë kishte ardhur në pushtet me siglën politike: “…Me duar të pastra…”.
Me plasjen e tragjedisë së Gërdecit, Dumani u bë pjesë e grupit në procesin e gjykimit dhe jo të hetimit. Në fazën e gjykimit, ai u njoh me qëndrimin e “akullt” që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.
Pas disa vite qëndrim në krye të Task-Forcës në Tiranë, ai emërohet prokuror i thjeshtë në prokurorinë e Apelit në Tiranë. Disa vitë më vonë komandohet në krye të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda.
Ndërsa në vitin 2019 bëhet pjesë e grupit të parë të prokurorëve që miratohen në KLP, për të qënë prokuror i SPAK. Me nisjen punë në këtë prokurori, Dumani realizon disa operacione policore, ku më e bujshmja është ajo e 8 dhjetorit, duke arrestuar Emiljano Shullazin, Indrit Taullain, Indrit Rusin dhe shpallur në kërkim Lulzim Berishën e Plaurend Dervishaj.
Në dhjetor 2022, Altin Dumani u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) me 5 vota, duke zëvendësuar në këtë post Arben Krajën, mandati i të cilit përfundoi.
Dumani la pas Edvin Kondilin që mori 4 vota dhe Adnand Xholin, me vetëm 1 votë.
Nëntë muaj nga drejtimi i SPAK nga Dumani, kjo prokurori ka ndryshuar rrënjësisht, duke sjellë brenda një kohë të shkurtër rezultate konkrete në goditjen e elementëve të Krimit të Organizuar dhe politikës Shqiptare.
Zyrtarë të lartë të qeverisë Rama, janë “gëlltitur” përmes firmës së Altin Dumanit, e po ashtu emra të njohur të botës së krimit.