Altin Dumani i kalon stafetën Klodian Brahos si kreu i ri i SPAK: Sot mbyllet një nga kapitujt më sfidues në jetën time

Klodian Braho ka marrë sot zyrtarisht detyrën si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme, duke zëvendësuar Altin Dumanin.

Ky i fundit në fjalën e tij u shpreh se këto 3 vite në krye të SPAK kanë qenë më sfidueset e jetës së tij, pasi institucioni është përballur me sfida dhe presione, por sot është më i konsoliduar se kurrë. Ai falënderoi çdo punonjës për punën e bërë.

“Sot mbyllet një nga kapitujt më sfidues të karrierës sime. Privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Jemi përballur me sfida dhe presione, por PSAK është sot më i fortë, konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Dua të falënderoj çdo punonjës për përkushtimin dhe sakrificat”, tha Dumani.

Pas marrjes së detyrës, Braho falënderoi dy paraardhësit e tij në këtë institucion, Arben Krajën dhe Altin Dumanin, teksa shtoi se fokusi i tij do të jetë vetëm respektimi i ligjit, dhe misioni i SPAK do të jetë përtej mandateve personale.

“Dua të vlerësoj paraardhësin nën detyrë, zotin Kraja, si dhe Dumanin për integritetin e tij. Në ushtrimin e detyrës fokusi im do të mbetet funksionimi i brendshëm, funksionimi i ligjit. BKH dhe hetimi financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK.
Institucioni do të vijojë të komunikojë me mediat. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve personale, besoj se jemi skuadër që punojmë përkrah në zbatim të Kushtetutës dhe ne interes të shqiptarëve”, tha Braho.