Aleksandër Vuçiç njofton datën e dorëheqjes si President i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë të ditur se më 27 shtator synon të largohet nga posti i kreut të shtetit. Ai tha se në këtë datë do t’u drejtohet qytetarëve me një mesazh, ku pritet t’i falënderojë për mbështetjen gjatë viteve të tij në Presidencë.

Duke folur për përfundimin e mandatit të tij, Vuçiç deklaroi se e konsideron të gjatë periudhën gjatë së cilës ka drejtuar vendin dhe se, pas largimit, synon t’i rikthehet jetës si qytetar i zakonshëm.

“Kam shërbyer si President i Republikës për një kohë të gjatë dhe e vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të këtij vendi. Më pas do të dal si qytetar i thjeshtë, ashtu si në të kaluarën. Kam një kamionçinë të vogël, makinën time dhe madje kam siguruar edhe një furgon të vogël për udhëtime- apo kamper, me të cilin mund të vizitoj fshatrat dhe zonat urbane”, tha Vuçiç.

Megjithatë, largimi nga Presidenca nuk duket se nënkupton edhe tërheqjen e tij nga politika aktive. Vuçiç kryeson listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, ndërsa emri i tij pritet të propozohet për postin e kryeministrit, duke hapur mundësinë e një kapitulli të ri në karrierën e tij politike.