Aleatët kërkojnë më shumë deputetë në listë të sigurt! Tedi Blushi sërish në selinë e PD-së, ende s’ka marrëveshje mes partive

Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe aleatët do të dalin në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 11 Majit, por ndarja e deputetëve në lista të sigurta po vonon firmosjen e marrëveshjes mes tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka qenë sërish sot në selinë blu për të diskutuar në lidhje me kandidatët që do të vendosen në listat e deputetëve, ku Partia e Lirisë ka më shumë pretendime se sa i është premtuar nga demokratët.

Gjithashtu edhe aleatët e tjerë kanë kërkuar më shumë kandidatë në listat e deputetëve, ku Fatmir Mediu i Partisë Republikane kërkon vendin e sigurt në Tiranë për vete, por edhe një kandidat tjetër të PR-së në listë të sigurt.

Gjithashtu edhe Agron Duka kërkon mandatin e sigurt në Durrës, ku nuk do të garojë vetë, ndërsa synon të ketë edhe 10 kandidatë të tjerë në listë jo të sigurt.

Pasi dështoi në Tiranë, ku mori pak më shumë se 800 vota personale, Vangjel Dule kërkon të kandidojë në qarkun e Vlorës, pasi sipas tij aty mund të marrë më shumë vota.

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit të zyrtarizimit të koalicioneve në KQZ, që do t’i shërbejnë opozitës për të arritur një marrëveshje përfundimtare për ndarjen e listave të kandidatëve, teksa këtë të shtunë do të zhvillohen edhe primaret, nga të cilat do të dalin kandidatët e Partisë Demokratike.