Albana Koçiu thotë se djegia e koshave nga protestuesit është dëmtim i ekonomisë shqiptare dhe sabotim i turizmit

Protesta e djeshme e opozitës u shoqërua me hedhje molotovësh dhe djegie të koshave të mbeturinave nga protestuesit, të cilët në një moment nuk kursyen as Vilën 31, ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha.

Teksa deputetët socialistë kanë shprehur mendimet e tyre në rrjetet sociale duke akuzuar Sali Berishën dhe Partinë Demokratike për dhunë, ajo që ka zbuluar objektivin e vërtetë të kësaj dhune duket se është ministrja e Brendshme në detyrë, Albana Koçiu.

Koçiu, që në ato pak muaj në detyrë si ministre e Brendshme iu dha përgjegjësi vetëm për adresat, pasi krimi i organizuar vijoi rrugën e vetë, thotë se objektivi i dhunës së protestuesve është “dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë”.

Për Koçiun, djegia e disa koshave të mbeturinave është dëmtim i ekonomisë shqiptare, ndërkohë që deri më sot nuk ka bërë asnjë reagim për akuzat e SPAK ndaj paraardhëses së saj në detyrën si zv.kryeministre, Belinda Ballukut, për të cilën SPAK thotë se ka abuzuar me tenderat në vlerë qindra milionë euro.

Ndoshta ministrja nuk i ka parë protestat nëpër botë, ku protestuesit djegin çfarë u del përpara kur qeveria e tyre akuzohet për vjedhje fondesh, ose ndoshta Koçiut nuk i intereson që shqiptarët të bëhen protestues si europianët, që i kërkojnë llogari qeverisë për gjithçka.

Sa i përket “momentit tonë më të mirë”, nuk ka sesi të jemi mirë kur Bashkimi Europian dhe aleatët e tjerë janë shprehur se SPAK nuk duhet të ndalohet të veprojë mbi Belinda Ballukun, por mazhoranca e saj vijon të mos japë autorizimin dhe të pengojë drejtësinë.

Postimi i plotë i Albana Koçiut:

U vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë.

Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale.

Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë.

Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.

Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore.

Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit.