Alarm në Mbretërinë e Bashkuar: Kukullat false Labubu paraqesin rrezik për fëmijët

Autoritetet britanike të mbrojtjes së konsumatorit kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pas shpërndarjes masive në treg të kukullave të rreme Labubu, të cilat përbëjnë rrezik mbytjeje për fëmijët e vegjël.

Kukullat origjinale Labubu, të krijuara nga artisti nga Hong Kongu Kasing Lung dhe të prodhuara nga kompania kineze Pop Mart, janë kthyer në një sensacion global. Të vogla sa një pëllëmbë, me trup lepuri, fytyrë përrallore dhe dhëmbë të mprehtë, ato janë aq të kërkuara sa versionet origjinale janë gjithnjë e më të vështira për t’u gjetur.

Sipas Institutit të Standardeve të Tregtisë në Britani (CTSI), mijëra kukulla të rreme dhe potencialisht të rrezikshme janë sekuestruar në mbarë vendin, shpesh pas ankesave të prindërve.

“Kukullat false Labubu janë të ndërtuara keq dhe nuk janë të sigurta,” paralajmëron CTSI. “Shumë prej tyre kanë pjesë të vogla që mund të shkëputen si sytë, duart dhe këmbët, të cilat paraqesin rrezik serioz mbytjeje për fëmijët. Qepjet e dobëta dhe mbushja e ekspozuar rrisin më tej rrezikun e mbytjes.”

Autoritetet theksojnë gjithashtu se, pa kontrolle të duhura sigurie, këto lodra mund të përmbajnë substanca toksike si plumbi, bojëra të dëmshme apo plastikë të ndaluar.

Muajin e kaluar është zbuluar prodhimi masiv i kukullave të falsifikuara në Kinë, të quajtura në mënyrë ironike “Lafufu”. Vetëm që nga qershori, autoritetet doganore kineze kanë sekuestruar mijëra copë që synonin eksportin.

Kerry Nicol, menaxhere për çështjet e jashtme në CTSI, theksoi ndikimin e rrjeteve sociale në rritjen e kërkesës:

“Kërkesa është rritur ndjeshëm falë rrjeteve sociale, duke e bërë gati të pamundur gjetjen e kukullave origjinale. Produktet false shmangin çdo kontroll sigurie dhe rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve.”

Ajo apeloi që të gjithë aktorët në zinxhirin e furnizimit, nga prodhuesit te shitësit online, të marrin përgjegjësinë për të parandaluar shpërndarjen e lodrave të rrezikshme.