Gjykata e Beratit ka shpallur moskompetencë në lidhje me çështjen e kreut të AMP, Florian Sulejmani, i cili u pezullua nga detyra pasi akuzohet për shpërdorim detyre.
Ka qenë gjyqtari Ilirjan Hysi ai që, ka shpallur moskompetencë territoriale, duke ia kaluar çështjen Gjykatës së Tiranës. Megjithatë ai la në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra.
Sulejmani u pezullua nga detyra lidhur me procedurën e ndjekur për transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore në kundërshtim me ligjin.
Burime për mediat bëjnë me dije se në Berat teksa ka qenë duke u zhvilluar një hetim për disa nga OPGJ-të, ka dyshime se Sulejmani ka ndërhyrë duke i lëvizur nga detyra që mbanin.
“Në çmuarjen e prokurorisë dhe konfirmimin e gjykatës, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, se nga ana e personit nën hetim janë transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim të plotë me nenin 10 pika, pika 1, shkronja “c” dhe nenin 22 të Ligjit nr.25/2019 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dhe nenin 62 pika 5, të të Ligjit Nr. 128/2021 ‘’Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore’’.
Po kështu, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës. Masa sigurimit është e përshtatshme me nevojën e sigurimit. Gjithashtu, kjo masë ndaluese garanton një raport të drejtë midis rëndësisë së faktit dhe sanksionit që parashikohet për veprën penale konkrete me llojin e masës së sigurimit”- thuhej në njoftimin e prokurorisë më 16 prill.