Akuzat ndaj Irena Gjokës/ Argita Malltezi del nga SPAK: U thirra si person që mund të ketë dijeni, Prokuroria të hetojë

Argita Malltezi ka folur për gazetarët pasi ditën e sotme u paraqit në SPAK. Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha tha se ishte thirrur si person që ka dijeni lidhur me deklaratat që ajo ka bërë ndaj gjyqtares Irena Gjoka, se kjo e fundit është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS.

“Pyeta e a ekziston një video e tillë, a e disponon SPAK një video të tillë që e ka gjetur rastësisht në shtëpinë e një gazetari të larguar nga Shqipëria. Videon nuk e kam”- u shpreh ajo.

Ajo tha se akuzat e saj ndaj gjyqtares i ka të referuara nga shkrimet mediatike ndërsa shtoi se SPAK ka për detyrë të hetojë. Argita Malltezi tha më tej se drejtësia në vend është e kapur nga grupet kriminale dhe se SPAK është një institucion me dy standarde

“U thirra si një person që mund të ketë dijeni mbi çështjen. Në parim, dhe bazuar në kodin e SPAK, ka mundësi që ky institucion të zgjerojë objektin e hetimit dhe të arrijë në zbardhjen e së vërtetës. Megjithatë, nuk kam besim te një institucion që mbajti për një vit në arrest liderin e opozitës. Jamarbër Malltezi është në arrest vetëm për faktin se mori tokën e tij. Mund të mendoni se çfarë standardi ka ky institucion. Përsa i përket veprave të tjera penale të Irena Gjokës, SPAK nuk ka preferuar të kryejë hetime”, tha Argita Malltezi.