AKU tërheq nga tregu qumështin formulë “NAN 1 OPTIPRO” për foshnja

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit “NAN 1 OPTIPRO”, qumësht formulë për foshnja, për shkak të pranisë së bakterit cereulide.

Sipas njoftimit zyrtar, pas kontrolleve dhe procedurave të gjurmueshmërisë, AKU ka bllokuar të gjithë sasinë e produktit që ndodhej në magazina, si edhe atë të kthyer nga tregu. Produkti do të asgjësohet ose do të rikthehet në vendin e origjinës.

AKU sqaron se tërheqja nga tregu e lotit “NAN 1 OPTIPRO” 800 gram është njoftuar nga subjekti importues në Shqipëri, pas komunikimit zyrtar nga kompania prodhuese “Nestlé”. Masa është marrë si veprim parandalues, pas konstatimit të pranisë së bakterit gjatë procesit të prodhimit në Holandë.

Nga verifikimet në terren, autoriteti bën me dije se supermarketet ku është tregtuar ky produkt kanë afishuar njoftime për informimin e konsumatorëve, në përputhje me kërkesat ligjore.