Aksioni në Durrës/ Me pistoletë gati për qitje, kush është i arrestuari Aldi Mustafa dhe bëmat e tij kriminale

Një operacion policor në Durrës çoi në arrestimin e Aldi Mustafës, 37-vjeçarit të njohur për autoritetet si pjesë e grupit kriminal të Rrumit të Shijakut.

Mustafa nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në prill 2023 i shpëtoi një atentati me tritol në makinën e tij, i cili u shpërthye me telekomandë.

Ai ka qenë i arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje në shtator 2023 dhe për planifikim vrasjeje në gusht 2021. Po ashtu, rezulton i dënuar në Gjermani me 10 vite burg për “kanosje” dhe “prodhim e shitje të narkotikëve”.

Mustafa ka pasur lidhje të ngushta me Aleksandër Lahon, i njohur si ‘Rrumi’, i përfshirë në disa ngjarje kriminale, përfshirë atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Bashkë me Mustafën, në pranga përfundoi dhe Arbi Haxhiu. Po ashtu dhe ky njohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Drejtori i policisë së Durrësit, Vilson Bala, tha se në momentin e arrestimit atyre iu kap një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.