Aksioni i RENEA-s në Astir/ E reja ishte vetëm në banesë, gjenden dy armë në apartamentin ngjitur

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen në Astir ku një vajzë telefonoi policinë duke thënë se është dhunuar nga disa persona, por pas mbërritjes së uniformave blu, e reja nuk u hapte derën. Të gjendur përballë kësaj situate, efektivët e RENEA-s u futen nga ballkoni i banesës që ndodhej në katin e tetë të pallatit.

Policia ka gjetur në banesë vajzën, e cila ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërkohë në banesën ngjitur janë gjetur edhe dy armë, por nuk ka pasur persona. Përveç armëve , mbi tavolinë u gjetën edhe shenja kokaine.

Ka dyshime se në banesë ka pasur persona të tjerë, por që mund të jenë larguar, kur ka ardhur policia për ndihmë. Banesa ku është gjetur vajza është marrë me qira nga persona të tjerë, që dyshohet se kanë qenë në apartament dhe më pas janë larguar.

Ndërkohë babai i vajzës u ka thënë uniformave blu se vajza e tij është marrë peng. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje ku dëshmia e vajzës do të jetë kyçe. Po ashtu përmes kamerave të sigurisë, do të shikohen hyrje-daljet në pallat.

Reagimi i policise:

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojnë se:

Rreth orës 14:10, u bë hapja e derës së banesës nga Forcat “Renea”, nuk pati probleme.

Shtetasja S.Q, ndodhet nën asistencën e stafit mjekësor. Nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja të dukshme fizike.

Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve të ngutshme hetimore dhe kontrollit të apartamenteve të tjera në pallatin në fjalë, në një banesë tjetër janë gjetur 2 armë zjarri pistoletë. Brenda kësaj banese nuk janë gjetur persona në momentin e kontrollit.

Grupi hetimor po kryen veprimet përkatëse me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e poseduesit të armëve.