Aksidentohet rëndë i riu shqiptar në vendin e punës në Itali, ra nga 10 metra lartësi

Një 18-vjeçar shqiptar është aksidentuar rëndë në vendin e tij të punës në Milano të Italisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në Via Senato, në qendër të Milanos ku shqiptari ka rënë nga një lartësi prej rreth 10 metrash.

I riu ishte duke punuar në një kantier ndërtimi brenda një pallati në rinovim, kur për arsye ende nën hetim ka rënë në një boshllëk.

Zjarrfikësja e Milanos ndërhyri në vendngjarje për sigurimin e të riut dhe nxjerrjen e tij në sipërfaqe, nëpërmjet një manovre komplekse dhe të detajuar.

I riu shqiptar është transportuar në spitalin e Niguardës me kod të kuq, pasi gjendja e tij është e rëndë.