Aksidenti në Këlcyrë/ Identifikohen 3 nga viktimat nga Pakistani, policia arreston dy persona bashkëpunëtorë të shoferit

Është zbardhur identiteti i të 8 personave që ndërruan jetë ditën e djeshme, në aksidenti ne rëndë të ndodhur në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet.

Policia njofton se të 7 emigrantët ishin shtetas me origjinë nga Pakistani, teksa shoferi ishte Edison Bregasi me origjinë nga Shkodra. Hetimet kanë zbuluar se ky i fundit ishte pjesë e një rjeti kriminal në fushën e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, nga i cili kanë rënë në pranga tashmë dy anëtarë.

Të arrestuarit janë Agustin Gjeta 26 vjeç dhe  Ramazan Dekovi 23 vjeç, të cilët dyshohet se bashkëpunonin me shoferin Bregaj. Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe kreu i grupit, një 23-vjeçar me origjinë nga Shkodra.

Njoftimi i policisë:

DVP Gjirokastër/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe 7 emigrantë nga Pakistani).

Identifikohen 3 shtetas që dyshohet se kanë bashkëpunuar me drejtuesin e automjetit për transportimin drejt Shkodrës, kundrejt pagesës, të 7 emigrantëve të cilët synonin kalimin e paligjshëm të kufirit.

Vihen në pranga 2 nga këta shtetas, punohet për kapjen e tjetrit (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale).

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, si pasojë e të cilit humbën jetën 8 shtetas, si dhe bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të një hetimi proaktiv për zbardhjen e linjës së trafikimit dhe kontrabandimit të emigrantëve, është dokumentuar se 7 shtetasit nga Vendet e Treta që humbën jetën nga ky aksident po transportoheshin nga drejtuesi i këtij automjeti, nga kufiri grek drejt kufirit të Shkodrës, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Nga këto veprime, të kryera nga strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe me strukturat e DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, dyshohet se drejtuesi i automjetit, shtetasi E. B., po bashkëpunonte me 3 shtetas të tjerë, për transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të moshave 28-32 vjeç, 3 prej të cilëve janë identifikuar.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u identifikuan 3 shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale:

A. Gj., 24 vjeç dhe R. D., 23 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u vunë në pranga në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër;

S. N., 23 vjeç, banues në Shkodër, i cili u shpall në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.

Vijon puna edhe për identifikimin e 4 emigrantëve të tjerë që kanë humbur jetën nga aksidenti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.