Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona në lidhje me aksidentin e rëndë në Fushë Prezë, ku humbën jëtën 4 të rinj, pasi makina me të cilën udhëtonin u përplas me një betoniere.
Në pranga ka rënë shoferi i betonieres Aleksandër Krrashi, i cili nuk kishte patentë për këtë kategori mjetesh. Në pranga përfundoi edhe kushëriri i tij, që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes si dhe menaxheri i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar 24 vjeçari, Krrashi.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Kujtojmë se viktima të këtij aksidenti mbetën Enejd dhe Erild Laçi, 25 dhe 20 vjeç, 24 vjeçari Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi 22 vjeç.
Policia njofton se makina me të cilën po udhëtonin 4 të rinjtë lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara duke sqaruar edhe dinamikën e aksidentit. Mjeti tip “Mercedez Benz” goditi nga pas betonieren që kishte ndaluar në karrexhatë, por shoferi nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën 4 të rinjtë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.