Aksidentet në vendin e punës janë rritur vitet e fundit në vendin tonë. Shifrat e personave që humbin jetën teksa punojnë janë më të lartë se në vendet e BE, duke ngritur alarmin për sigurinë e jetës nga punëdhënësit.
Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale gjatë vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 218 raste aksidentesh në punë, të cilat pas verifikimit apo hetimit 84.8 % kanë rezultuar aksidente në punë.
Në vitin që lamë pas, 2024 në lajmet e kronikës nuk munguan raportimet për aksidente fatale në punë. Më i rëndi ishte ai që u regjistrua në kapanonin në Lushnjë, në pronësi të deputetit socialist, Bujar Çela, ku humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.
Vetëm pak ditë më parë, një 40 vjeçar, punëtor ndërtimi humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike, duke lënë jetimë tre fëmijë.
Një tjetër minator do të aksidentohej për vdekje në Bulqizë, në fillim të këtij viti.
Këto shifra janë dramatike për një vend të vogël si Shqipëria, ndaj institucionet duhet që mos qëndrojnë indiferente.
Sektorët më të rrezikuar për aksidentet në punë janë ai minerar, elektriciteti, ndërtimi, ndërmarrjet prodhuese dhe aksidentet rrugore.
Por çfarë duhet bërë?
Për të parandaluar aksidentet në punë, është e rëndësishme që punëdhënësit të sigurojnë kushte të sigurta pune, të ofrojnë trajnime për sigurinë dhe të ndjekin rregullat dhe standardet e sigurisë.
Autoritetet të shtojnë intensitetin e kontrolleve karshi institucioneve publike dhe private lidhur me zbatimin e kushteve të sigurisë teknike në punë.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës ose International Labor Organization ILO, pothuajse tre milionë punëtorë vdesin çdo vit në të gjithë botën për shkak të aksidenteve dhe sëmundjeve të lidhura me punën, një rritje prej më shumë se 5% në krahasim me 10 vite më përpara.