Një aksident rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Lushnje–Çermë, pranë fshatit Dushk.
Një automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga duke përfunduar dhjetëra metra larg saj, në një zonë toke bujqësore pranë autostradës.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke bërë që automjeti të ndalojë në oborrin e një banese. Për fat të mirë, në momentin e ngjarjes nuk kishte persona në oborr, çka shmangu një tragjedi të mundshme.
Dy personat që ndodheshin në automjet, bashkëshortë, janë lënduar lehtë dhe janë transportuar menjëherë nga ambulanca drejt Spitalit të Lushnjes, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Paraprakisht dyshohet për humbje të kontrollit të mjetit, por pritet që ekspertiza të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.