Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës ku shoferi i një kamioni është përplasur për vdekje nga një fadromë.
Viktima, Nusret Xhoka është përplasur nga një fadromë sapo ka zbritur nga kamioni. Si pasojë e plagëve, ai ka ndërruar jetë në vend. Ndërkohë drejtuesi i fadromës, 63 vjeçari Rrahman Sllamniku, banues në Prishtinë është arrestuar nga uniformat blu.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin Rr. S., 63 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, rreth orës 21:20, në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, shtetasi N. Xh., 60 vjeç, banues në Dibër, ka humbur jetën“- njofton policia për aksidentin.