AI po bëhet “mik” për të rinjtë: Gen Z e përdor edhe për probleme personale

Më shumë se një e katërta e përdoruesve të Gjeneratës Z ndërveprojnë me inteligjencën artificiale (AI) sikur të komunikonin me një mik, duke e përdorur teknologjinë për mbështetje emocionale dhe për çështje personale, sipas një studimi të fundit global të publikuar të martën, transmeton Anadolu.

Një sondazh global i kryer nga Kaspersky me 7.200 pjesëmarrës tregoi se Gjenerata Z e përdor AI-n në mënyrë dukshëm më aktive krahasuar me gjeneratat e tjera.

Rreth 27 për qind e të anketuarve deklaruan se e përdorin teknologjinë si një mik, duke sinjalizuar një ndryshim nga perceptimi i AI-së si një mjet thjesht i orientuar drejt detyrave, drejt përdorimit të saj si burim për mbështetje emocionale dhe shoqëri.

Studimi zbuloi gjithashtu se 28 për qind e pjesëtarëve të Gen Z konsultohen me AI-n për çështje personale që hezitojnë t’i ndajnë me njerëz të tjerë. Kjo tregon se sistemet e komunikimit me bazë AI po integrohen natyrshëm në zakonet e tyre të përditshme digjitale.

Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve, ose 47 për qind, thanë se përdorin AI-n çdo ditë ose rregullisht, përqindja më e lartë e regjistruar në mesin e të gjitha grupeve demografike.

Të rinjtë e përdorin AI-n për qëllime të ndryshme. Rreth 56 për qind e përdorin për të kërkuar informacion, 49 për qind për të studiuar, 47 për qind për të gjeneruar ide dhe 39 për qind për qëllime pune.

Megjithatë, pavarësisht përdorimit të lartë dhe vetëbesimit të tyre në botën digjitale, shumë pjesëtarë të Gen Z duket se i nënvlerësojnë rreziqet që lidhen me përdorimin e AI-së.

Vetëm 42 për qind e përdoruesve të Gen Z thanë se zbatojnë rregullisht masa sigurie, të tilla si verifikimi i informacionit përmes burimeve të besueshme dhe shmangia e ndarjes së të dhënave konfidenciale.

Ndërkohë, 52 për qind thanë se marrin masa të tilla vetëm herë pas here, ndërsa 6 për qind nuk zbatojnë fare masa sigurie.

Ekspertët paralajmërojnë se, ndërsa ndërveprimet me AI-n bëhen gjithnjë e më personale, përdoruesit duhet të kenë parasysh se informacioni i futur në mjetet e inteligjencës artificiale duhet të konsiderohet si jo-konfidencial, përveç rasteve kur garantohet ndryshe. Kaspersky thekson se këto sisteme mund të gjenerojnë përgjigje të pasakta dhe mund të paraqesin rreziqe për ekspozimin e të dhënave sensitive.

Vladislav Tushkanov, menaxher grupi në Qendrën Kërkimore të Teknologjisë së AI-së në Kaspersky, tha se Gen Z i kupton shumë më mirë se gjeneratat e tjera zhvillimet e reja në fushën e AI-së dhe po gjen mënyra të reja për ta integruar këtë teknologji në jetën e përditshme.

Tushkanov nënvizoi se një ndërveprim që përfshin ndjenja dhe çështje personale nuk duhet të ngatërrohet me një bisedë private apo plotësisht konfidenciale. Ai u bëri thirrje përdoruesve të rinj që kuriozitetin dhe përdorimin e tyre të AI-së ta shoqërojnë me praktika të sigurta, si verifikimi i informacionit dhe mbrojtja e të dhënave personale.